Financat e partive, Llalla: Të gatshëm t’i hetojmë
Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive është gati dhe ka mundësitë e duhura për të hetuar financat e partive politike. Kreu i këtij institucioni, Adriatik Llalla, deklaroi dje se ky institucion mund të kryejë edhe këtë detyrë. Llalla tha se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm në rast se ndryshon ligji, ndërsa për pjesën teknike, ai garantoi se institucioni i tij ka mundësitë reale për të hetuar partitë. “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e ka shtruar këtë çështje për diskutim disa muaj më parë në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe mund të shprehem se institucioni ynë i ka tashmë kapacitetet e duhura investigative dhe bazën logjistike për përballimin e një sfide të tillë. Natyrisht, kjo vendoset nga ligjvënësi, duke u përcaktuar edhe metodologjia e punës. Është një sfidë e rëndësishme, pasi duhet hetuar burimi i financimeve që vijnë në fushata për partitë politike nga burime të ndryshme dhe të shumta. Por, ILDKP tashmë ka krijuar përvojën e duhur për hetimin administrativ dhe mendoj se do të jemi në gjendje, nëse ligjvënësi mendon se mund të na japë këtë përgjegjësi, që ta përballojmë me sukses”, - deklaroi Llalla. Problemi dhe transparenca e financave të partive politike ka qenë një shqetësim i raporteve të ndërkombëtarëve, kur vjen fjala për zgjedhjet në Shqipëri.