E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vegjlit, 130 milionë lekë “borxh” PD-së e PS-së



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje që partitë ish-parlamentare që përfituan para nga buxheti për fushatën elektorale, por që s’morën asnjë mandat deputeti, duhet të kthejnë të gjitha fondet e marra. KQZ-ja miratoi projektvendimin "Për kthimin e sasisë së fondit të përfituar nga partitë, të cilat nuk kanë fituar asnjë mandat në Kuvend dhe rishpërndarjen e tij partive që kanë fituar mandat në Kuvend në zgjedhjet e 28 qershorit". Në total, janë rreth 130 milionë lekë të vjetra që kanë përfituar partia e drejtuar nga Xhuveli, Milo, Ceka, Gjinushi, Ndoka e Starova. Me kthimin e këtyre parave, ato u shpërndahen partive parlamentare, si: PD, PS, LSI, PR, PBDNJ dhe PDI sipas përqindjes së fituar në Parlament dhe kuptohet që pjesën më të madhe e merr PD dhe PS. Gjatë mbledhjes së djeshme, anëtari i PSD-së në KQZ, Pandeli Varfi, kërkoi që partitë që kanë qenë në koalicione që s’morën deputetë, të mos kthejnë paratë, por kjo u rrëzua nga anëtarët e tjerë të KQZ-së. Për zgjedhjet parlamentare qeveria vuri në dispozicion të subjekteve zgjedhore një fond prej 65 milionë lekësh. Sipas Kodit Zgjedhor, 50% e kësaj shume (32.5 milionë lekë) u përfitua nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa gjysma tjetër e tij iu nda partive politike që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin morën jo më pak se 2 vende në Parlament. Partia Socialdemokrate, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Aleanca Demokratike, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi Liberal Demokrat nuk kanë marrë asnjë mandat dhe duhet të kthejnë shumat e fondeve të përfituara, që në total përllogaritet në 12 milionë e 728 mijë lekë. Në rast se ato nuk i kthejnë, do të penalizohen me mosfinancim në të ardhmen ose deri në përjashtim nga pjesëmarrja në zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›