E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria nis ndërtimin e 104 hidrocentraleve



Qeveria nis zbatimin e projektit të ndërtimit të 104 hidrocentraleve në mbarë vendin. Kryeministri Sali Berisha premtoi dje në Bushat Shqipërinë superfuqi energjitike dhe ironizoi me socialistët se hidrocentrali i Ashtës është “centrali bërthamor” që do të ndërtonte në Shkodër. Berisha njoftoi fillimin e ndërtimit të 104 hidrocentraleve në mbarë vendin brenda një kohe të shkurtër, gjë që jo vetëm do të zgjidhë çështjen e energjisë elektrike në vend, por do ta shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi energjitike në rajon. Kryeministri përuroi punimet për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, një investim ky i kompanisë austriake Verbund, prej 160 milionë eurosh. Sipas kreut të qeverisë, hidrocentrali i Ashtës do të përfundojë brenda 40 muajve dhe pritet të furnizojë me energji elektrike më shumë se 100.000 familje. Duke e konsideruar një vepër madhore ndërtimin e tij, shefi i ekzekutivit ka ironizuar zërat e opozitës, sipas të cilëve qeveria po planifikon për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër. “Projekti i këtij HEC-i respekton ekologjinë. Ky ka qenë centrali nuklear që Berisha do të ndërtonte për Shkodrën”, - u shpreh ai. Për Kryeministrin Berisha, ky është vetëm fillimi i Shqipërisë superfuqi energjitike. Sipas tij, hidrocentrali i Ashtës është pjesë e 104 hidrocentraleve që do të fillojnë nga ndërtimi në mbarë vendin brenda një viti. “Hapim siparin e 104 hidrocentraleve që do të përfundojnë në një kohë të shkurtër. Qeveria ka finalizuar 60 kontrata me kompani të huaja për të 104 hidrocentralet që do të kenë një kapacitet prodhues prej 1000 megavat”. Përfaqësuesi i kompanisë Verbund, Christian Kern, tha se “Ashta” është një projekt sfidues për ekonominë energjitike. Sipas tij, për herë të parë në Evropë, do të vihet në përdorim teknologjia Hidro-Matriks, një nga energjitë më të pastra që ka arritur të prodhojë shkenca. Kurse z. Berisha pohoi se gjatë katër viteve të ardhshme do të ketë një papunësi më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Por qindra, mijëra punëtorë do të punësohen dhe në 5 parqet e mëdha industriale në vend, duke e ulur ndjeshëm papunësinë”.

Hidrocentrale të reja

Kukës 10 hidrocentrale

Bulqizë 14

Gramsh 8, projekti më i madh në Evropë, kaskada e Devollit

Shkodër 7

Librazhd 8

Korçë 8

Dibër 6

Mat 4

Tepelenë 4

Tropojë 4

Pogradec 3

Berat 3

Përmet 3

Gjirokastër 2

Sarandë 2

Tiranë 2

Pukë 2

Elbasan 1

Skrapar 1

Mirditë 1

Kolonjë 1

HEC-i i Ashtës

160 milionë euro investim

Do të furnizojë 100 000 shtëpi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›