E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Xhindi, vrasje politike

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste e cilësoi dje vrasjen e ish-deputetit Fatmir Xhindi, një vrasje politike.Kreu i Asamblesë Kombëtare të Socialistëve Gramoz Ruçit, akuzoi Policinë e Shtetit për faktin se nuk do ta zbardhë këtë çështje. “Përgjigjet pa përgjigje të pushtetit të Sali Berishës deri më sot kanë hedhur në tavolinë të organeve kompetente të gjitha pistat e mundshme. Po sipas verdiktit të tyre të gjitha nuk qëndrojnë. Aktualisht ka mbetur vetëm një pistë: Fatmir Xhindi është vrarë vetëm për arsye politike. Pistë që nuk është hedhur para organeve kompetente. Këtë pistë nuk mund ta hedhë pushteti i Sali Berishës. Është pista politike sepse pas 6 muajsh pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, veprimet hetimore rezultojnë tërësisht të stopuara. Është pista politike pasi Policia e Shtetit nuk është duke kryer asnjë veprim hetimor për zbulimin e autorëve dhe gjetjen e provave. Është pista politike pasi vendi dhe rrethanat e tjera të kryerjes së krimit si dhe cilësitë e posaçme të ngjarjes dëshmojnë se zbulimi i këtij krimi nuk përbën për specialistët një rast pa zgjidhje. Është pistë politike, sepse ligji i ka përcaktuar detyrimet konkrete  të Policisë së Shtetit përmes strukturave të posaçme të ngritura prej saj, të cilat kanë për detyrë të kryejnë veprime për zbulimin e çdo lloj ngjarjeje kriminale, aq më tepër për një ngjarje të tillë me sfond politik”, tha Ruçi. Menjëherë pas deklaratës së deputetit socialist, ka reaguar dhe Policia e Shtetit. Në një deklaratë për shtyp policia thekson se: “Për zbulimin e kësaj ngjarje është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e tre prokurorëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda, si dhe 10 oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë dhe Departamentit për Hetimin e Krimeve në Policinë e Shtetit.
Sipas policisë së shtetit hetimet kanë vazhduar me intensitet të lartë dhe po analizohen të gjitha faktet. “Policia e Shtetit po vazhdon hetimet me intensitet të lartë duke analizuar me kujdes të gjitha informacionet e marra për këtë çështje së bashku me Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe po zbaton të gjitha detyrat e deleguara nga ana e prokurorëve. Policia nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësive të saj, duke zbatuar me korrektësi detyrimet që i ngarkohen”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit. Lidhur me dyshimet e PS-së se Vrasja e Xhindit është politike, policia i kërkon Ruçit të verë në dispozicion gjithë informacionin e nevojshëm. “I sugjerojmë zotit Gramoz Ruci, që në funksion të zbulimit të së vërtetës, të gjithë informacionin e nevojshëm që disponon ta vërë në dispozicion të Prokurorisë Për Krimet e Rënda, si autoriteti përgjegjës që drejton dhe heton këtë çështje”. Sipas Policisë së Shtetit këto deklarata kanë për qëllim pengimin e punës së bërë nga grupi hetimor dhe të shkaktojnë vonesa në zbardhjen e së vërtetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›