Itali, dorëzohet pas 10 vitesh shqiptari i kërkuar për vrasje
ITALI – Jetoi për mëse një dekadë në identitet të rremë në Itali, duke fshehur faktin që ishte i dënuar në vitin 1992 në Shqipëri për akuzën e “vrasjes”. Por arratia 12-vjeçare ka marrë fund dje kur ai është vetëdorëzuar tek Karabinierët e Rubierës në Rexhio Emilia në Itali. Protagonisti i ngjarjes është një shqiptar 51-vjeç, i cili ka zgjedhur t’i nënshtrohet ligjit, për të mos përfshirë familjen e tij në “arratinë” shumëvjeçare. Lajmi bëhet i ditur nga mediat e vendit fqinj, ndërkohë që nuk saktësohet identiteti i tij. Karabinierët e Rubierës janë habitur jo pak, kur personi i mbërritur para tyre u ka thënë se kishte 10 vjet që jetonte në Itali me identitet të rremë dhe se kishte ende për të kryer shumë vite burg në vendin e tij. Mësohet se autoriteteve u janë dashur vetëm pak minuta që të kuptojnë që kishin përballë një person për të cilin ekzistonte një urdhër arresti ndërkombëtar. Pas ndalimit të 51-vjeçarit janë nisur procedurat e ekstradimit të tij në Shqipëri. Shqiptari 51-vjeçar i vetëdorëzuar dje tek autoritetet policore italiane është dënuar nga drejtësia shqiptare në vitin 1992. Sipas burimeve, një vendim i Gjykatës së Apelit të kryeqytetit e kishte lënë atë në 20 vjet heqje lirie për akuzën e “vrasjes”. Ndërkohë që arratia e tij “ka marrë jetë” gjatë muajve të mungesës së strukturave shtetërore, përgjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri. Bëhet e ditur se pas hapjes së burgjeve, ashtu si shumë të tjerë, është arratisur dhe 51-vjeçari. Pas largimit nga qelia ai ka emigruar drejt Italisë ku ka jetuar si klandestin deri në vitin 1999. Sipas mediave të vendit fqinj, në këtë vit, duke paraqitur një pasaportë shqiptare ai ka mundur të ndryshojë identitetin e tij. Në këtë mënyrë, pasi gëzonte një identitet të ri, ai është zhvendosur brenda territorit italian në Rexhio Emilia ku ka nisur “jetën e re”. Me emrin dhe mbiemrin e ri, ai kishte mundur të përfitonte lejen e qëndrimit, kartën e identitetit, lejen e drejtimit të automjetit dhe një punë të rregullt deri në vitin 2005. Mësohet se në këtë vit, për shkak se kishte qenë pa punë, nuk e kishte pasur të mundur ripërtëritjen e lejes së qëndrimit. “Ndërkohë, që me të njëjtin identitet të rremë, ai ka jetuar deri dje në banesat e të afërmve të tij në zonën e Rexhio Emilias, derisa mori vendimin e vetëdorëzimit”, pohonin dje agjencitë italiane të lajmeve. Ndërkohë që bëhet e ditur se ka qenë frika se do të “shkatërronte” edhe lejet e qëndrimit të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, të mbërritur vitet e fundit në Itali, që ka bindur 51-vjeçarin të shkojë në polici. ar.ba