Kapet në Itali Arsen Dehari
Arrestohet në Itali emigranti nga Elbasani Arsen Dehari, 38 vjeç, i akuzuar për tentativën e vrasjes të Fadil Memës, ish-efektiv policie në Shqipëri. Dehari, i prangosur nga karabinierët e Monkaliarit pak ditë më parë, cilësohet nga mediat e vendit fqinj si “trafikant i rrezikshëm i drogës nga Shqipëria”.. Bëhet e ditur se Dehari, i proceduar nga autoritetet italiane në lidhje me trafikun e kokainës i ka shpëtuar mrekullisht vitet e fundit duke “rrëshqitur nga duart” e policëve gjatë disa operacioneve për prangosjen e tij. Ndërsa identifikimi i tij si autor i tentativës për vrasjen e shqiptarit Fadil Mema në Itali është bërë nga regjistrimet e kamerave të sigurisë së një salle lojërash ku ata ndodheshin para atentatit. Sipas burimeve mediatike të vendit fqinj, prokurorët italianë janë duke punuar për të zbardhur përfshirjen e 38-vjeçarit Dehari në trafikun e drogës dhe krimin e organizuar që nga Elbasani qyteti i lindjes së Deharit, i ka “shtrirë rrënjët” deri në Torino të vendit fqinj.
ARRESTIMI
“Fshihej në katin përdhes të një ndërtese në rrugën ‘Passo Buole’ Arsen Dehari, trafikanti i rrezikshëm shqiptar i drogës, që u arrestua në fundjavë nga karabinierët e Monkaliarit”, citonin dje mediat italiane. Ndërsa në shkurt të këtij viti, Dehari i kishte shpëtuar arrestimit duke u hedhur nga kati i tretë i një ndërtese, pak ditë më parë ai ka tentuar t’ia “hedhë” policisë, duke treguar një pasaportë të falsifikuar bullgare.
Mësohet se identifikimi i tij ishte bërë i mundur pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë së “Bingo Milioner” mbrëmjen e tentativës për vrasjen e Fadil Memës. Mësohet se gjashtë muaj më parë, në banesën e Deharit policia ka gjetur 2 kilogramë kokainë të pastër, ndërsa ai vetë është hedhur nga dritarja në gjashtë metër lartësi duke i shpëtuar prangave. Më pas, falë lidhjeve të tij në Itali ai ka siguruar dokumente të falsifikuara si shtetas bullgar me emrin Boykov Stanislav Benyov, 36 vjeç, pa asnjë precedent penal.
ATENTATI
Tentativa për eliminimin fizik të Fadil Memës, ish-funksionar në policinë shqiptare dhe ish-kandidat politik në zgjedhjet e vitit 2005 në vend ka ndodhur në mesnatën e 2 majit. “Sipërmarrësi i respektuar që i kishte shpëtuar mrekullisht një atentati në vitin 2006, ngjarje prej së cilës kishte fituar azil politik në Itali ka dalë nga “Bingo Milioner” ku kishte humbur 900 euro. Pa arritur ende tek automjeti i tij i parkuar nga një makinë “Lancia Y” është qëlluar drejt tij dhe ai ka marrë dy plagë”, shkruanin dje mediat italiane. Dërgimi i shpejtë në spital i shpëtoi jetën Memës, prej plagëve të shkaktuar nga plumbat e një pistolete kalibër 38 mm në trup. Duke analizuar pamjet e sigurisë, hetuesit italianë kanë identifikuar të gjithë personat që ishin në sallën e lojërave atë natë pranë viktimës, një prej të cilëve ishte edhe Dehari. Pas përputhjes së pamjeve filmike me foton e Danit si i kërkuar nga policia është lokalizuar vendndodhja e tij dhe është prangosur. Sipas hetuesve italianë dyshohet se atentati mund të ketë ardhur si rezultat i një konflikti mes Memës dhe personave të inkriminuar në Elbasan. a.b
Vrasjet në Elbasan në lokalin e ish-oficerit
TIRANE – Fadil Mema, ish-oficeri i policisë që ka qenë shënjestër e të arrestuarit Arsen Dehari, ishte edhe në Shqipëri objektiv i ngjarjeve kriminale. Në janar të vitit 2006 në afërsi të banesës së tij, ish-oficeri i policisë Fadil Mema është qëlluar me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “29 Nëntori” në Elbasan ndërsa pak orë pas ngjarjes, policia arrestoi Florian Çapjen, 25 vjeç, i dyshuar për plagosjen e ish-oficerit. I arrestuari për këtë ngjarje ishte vëllai i Sokol Çapjes, ish-pronarit të kompleksit “Univers” në Elbasan, i cili është ekzekutuar me armë në maj 2006. Disa muaj më vonë, në lokalin e vëllezërve Mema ka ndodhur një tjetër ngjarje e rëndë ku është ekzekutuar me armë Ardian Ibrahimi, 38 vjeç. Dy persona të maskuar e qëlluan viktimën me armë dhe ikën menjëherë nga vendi i ngjarjes. Pak muaj më vonë ndodhi edhe plagosja e kunatit të Ardian Ibrahimit. Ish-oficeri i policisë shpëtoi nga vdekja si pasojë e ndërhyrjes së shpejtë nga mjekët. Mema ka kandiduar për deputet në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 si kandidat i Aleancës Demokratike.