E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rivarroset në varrezat e Rrmajit Tom Ndoja, i pushkatuar nga regjimi komunist

03/06/2011  Eshtrat u gjendën së fundmi nga disa harta të Ministrisë së Brendshme

SHKODER- Familjarë dhe të afërm të Tom Ndojës, të pushkatuar nga regjimi komunist në vitet ‘80-të, kanë organizuar sot, në Varrezat e Rrmajit Shkodër, ceremoninë mortore të tij, pas 27 vitesh varrimi të paditur dhe të heshtur. Në ceremoninë mortore të shtetasit Ndoja morën pjesë dhe përfaqësues të shoqatës së të përndjekurve politikë të Shkodrës, si dhe miq e bashkëvuajtës të të ndjerit. Ra në sy mungesa e drejtuesve të pushtetit vendor të Shkodrës. Në këtë ceremoni kreu i Shoqatës së të Persekutuarve Shkodër, Zenel Drangu, kujtoi revoltën e guximshme të të burgosurve të Qafë Barit, të drejtuar nga Tom Ndoja e Sokol Sokoli, të cilët treguan haptazi qëndrimin e tyre ndaj regjimit komunist dhe ndaj kushteve të trajtimit të të burgosurve politikë. Ndërkohë Drangu përsëri kërkesën e ka bërë disa ditë më parë ndaj Ministrisë së Brendshme për nxjerrjen e të gjitha hartave dhe të dhënave të tjera për 4500 të pushkatuarit e regjimit komunist, të cilëve nuk u është gjendur varri edhe pas 20 vitesh kërkime të njëpasnjëshme. Bashkëvuajtës të burgut të Qafë Barit u shprehen se ajo kohë ishte periudha më e tmerrshme për ta e sidomos për Tom Ndojën e Sokol Sokolin që vuajtën tortura çnjerëzore përpara se të pushkatoheshin. Për Zef Ndojën, dita e varrimit të eshtrave të vëllait Tomë Ndoja, është një ditë edhe e gëzuar pasi kishin më se 20 vite që kërkonin, në mënyrë që edhe ai të kishte një varr si të gjithë njerëzit e tjerë. Tom Ndoja e Sokol Sokoli ishin dy organizatorët dhe drejtuesit e revoltës së 20 majit të vitit 1984 në burgun e Qafë Barit, të cilët u torturuan dhe u pushkatuan menjëherë pas dorëzimit të tyre. Dorëzimi i këtyre dy burrave antikomunistë u bë për të shmangur pasojat që mund të vinin tek të burgosurit e tjerë të këtij burgu dhe të familjarëve të tyre jashtë hekurave. Pas 27 vitesh nga vrasja e tyre, familjarët arritën të gjejnë eshtrat e Tom Ndojës e Sokol Sokolit, në sajë edhe të ndihmës së një harte të Ministrisë së Brendshme. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›