E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSIG-u, nis vlerësimi i aseteve të kompanisë



Odiseja e dështimit për vlerësimin e aseteve të INSIG-ut, në kuadër të privatizimit, duket sa ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Për të katërtën herë radhazi është zhvilluar tenderi për gjetjen e kompanisë që do të bëjë vlerësimin financiar të kompanisë së sigurimeve, ku shteti zotëron 61% të aksioneve. I zhvilluar më datë 12 qershor, tenderi ka nxjerrë fitues për 85 mijë euro (nga 100 mijë euro të ofruara), shoqërinë që do të bëjë vlerësimin e INSIG-ut, proces që parashikohet të zgjasë dy javë pas nënshkrimit të kontratës. Qeveria ka vendosur si afat për privatizimin final të shoqërisë së sigurimeve INSIG, fundin e muajit dhjetor 2008, ku përveç shitjes së 61% të aksioneve, parashikohet që të njëjtin veprim të bëjnë dhe dy aksionarët kryesorë, IFC dhe BERZH.

KESH-i, 5 milionë dollarë investime për Kamzën

Në kuadër të përforcimit të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike dhe rritjes së kapacitetit transmetues, KESH-i po planifikon të investojë në vlera të konsiderueshme, në ato zona ku mbledhja e faturave është më problematike. Pasi arriti të bindë banorët e zonave informale, në periferi të Tiranës, që energjia elektrike është një mall që duhet paguar, kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, ka në plan të investojë rreth 4 milionë euro për nënstacionin “Kashar” në Kamzë. Ndërhyrja konsiston në ndërtimin e rrjetit të ri 20 kilovolt me fibrat F7, F8, nga Nënstacioni “Kashar” në Kamzë, si dhe të rrjetit “TU” me përcjellës ABC. Investimin do ta zbatojë zona e Shpërndarjes, Tiranë, nga ku synohet një përmirësim i situatës me furnizim të energjisë elektrike.

Në vitin 2009 vihet në punë TEC-i i Vlorës dhe linja 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë

TEC-i i ri i Vlorës dhe linja e interkonjeksionit 400 kv Tiranë-Podgoricë, do të jenë dy veprat më të reja energjetike, që pritet të përfundojnë në mes të vitit 2009. Sasia e energjisë që do t'i shtohet në maj 2009 rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes nga TEC-i i ri në Vlorë llogaritet në 97 megavat. Ndërsa në qershor 2009 pritet të futet në punë dhe linja e interkonjeksionit 400 kv Tiranë-Podgoricë, e cila do të rrisë kapacitetin importues dhe eksportues të energjisë. Në korrik punimet në TEC-in e ri të Vlorës hyjnë në një fazë të re, në atë të vendosjes së agregateve dhe makinerive. Ndërsa ndërtimi i linjës 400 kv Tiranë-Podgoricë ka hyrë në fazën e parë të punimeve. Linja e interkonjeksionit 400 kv shtrihet nga Tirana e përfundon në Podgoricë, me një gjatësi prej 155.6 kilometra.

Konfindustria shpall tregun e hapur për Ballkanin Perëndimor

Konfindustria shpall nismën për krijimin e tregut të hapur shqiptar dhe rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë përbërëse e integrimit të përbashkët në BE. Tregu i Hapur Shqiptar është parashikuar që të jetë i hapur dhe të zgjerohet edhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor si Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia në interesa të përbashkët. Kjo iniciativë nis me organizimin e panairit të Elitës së Industrive Shqiptare, shembulli i parë në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon. Janë ftuar me kushte shumë të forta përzgjedhjeje vetëm prodhime fundore të industrive shqiptare dhe asnjë prodhim konkurrent i huaj. Gjithashtu, janë 3 forume të parashikuara të zhvillohen gjatë ditëve të panairit, që u përkasin fushave më të rëndësishme të ekonomisë si infrastruktura, energjia, transportet, nafta, minierat dhe politikat e krijimit të Tregut të Hapur Shqiptar.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›