KESH, Fierza drejt pikut
Fabiola Çela
KESH do të vazhdojë të eksportojë energji edhe gjatë muajit prill. Duke qenë se situata në kaskadën e Drinit është goxha e mirë, KESH ka vendosur që të eksportojë energji drejt Kosovës, Greqisë dhe një kompanisë Atel. Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Energjetikës, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është shumë afër pikës maksimale.
Fierza
Niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës është 295.29 metra, ndërkohë që niveli maksimal i ujit në kaskadë është 196 metra. Aktualisht prurjet e ujit janë 532 m3/sek. E njëjta situatë është edhe në dy hidrocentralet e tjera të kaskadës, të cilat ashtu si dhe Fierza vetëm pak cm u duhet për të arritur nivelin maksimal të ujit. Duke qenë se situata hidrike në kaskadën e Drinit është shumë e pozitive, atëherë është vendosur që eksporti i energjisë drejt vendeve fqinje të vazhdojë edhe përgjatë muajit prill.
Eksporti
Në një kohë kur eksportet e mallrave shqiptare drejt tregjeve të huaja KESH ka nisur për herë të parë këtë vit të eksportojë energji elektrike drejt vendeve fqinje. KESH nisi eksportin e energjisë gjatë muajit shkurt dhe, sasia e energjisë së eksportuar drejt Greqisë arrinte vlerën prej 5 milionë euro. Ndërkohë që janë nënshkruar kontratat e eksportit edhe për muajin prill, ku do të eksportojë plot 53.360 MWh energji elektrike. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, KESH ka lidhur kontratat e eksportit të energjisë me Kosovën, me Greqinë dhe kompaninë Atel. Sipas kontratës së nënshkruar me kompaninë elektronergjetike kosovare KEK, eksporti i energjisë do të jetë i ndarë në tre lote. Gjatë lotit të parë ka nisur eksporti i energjisë që nga data 1 prill dhe do të vazhdojë deri më 9 prill. Në lotin e dytë eksporti nis me datë 22 prill deri më 30 prill. Energjia do të levrohet nga ora 07:00 deri në orën 23:00 nga dita e hënë deri në të dielën. Sipas kontratës, sasia totale e energjisë që do të eksportohet është 25.920 MWh. “Për periudhën 04.04.2009 – 18.04.2009, do t[i levrojmë KEK rreth 2.9 milionë kwh në ditë ose në total 43.500 MWh. Parashikohet që levrimet ndaj KEK të vazhdojnë të jenë në të njëjta nivele, por gjithmonë edhe në varësi të situatës hidroenergjetike” shprehen burimet pranë Ministrisë së Energjetikës. Sipas kontratës së nënshkruar me PPC-ë greke, eksporti i energjisë ka nisur më datë 2 prill deri më datë 3 prill. Totali i energjisë së eksportuar drejt Greqisë është 1.040 MWh. Ndërsa me kompaninë Atel, eksporti i energjisë nis me datë 5 deri në datën 13 prill. Ndërkohë që, sipas kontratës së nënshkruar me KESH, eksporti i energjisë do të nisë sërish me datë 19 deri me datë 20 prill. Sasia totale e energjisë që KESH do të shesë Atel-it arrin në 26.400 MWh. “Eksporti i energjisë, në total, për periudhën 05.04.2009 – 18.04.2009, do të jetë 6.9 milionë kwh në ditë, si dhe duke parashikuar një konsum prej rreth 17 milionë kwh në ditë, parashikohet që të prodhojmë rreth 24 milionë kwh në ditë” kanë sqaruar burimet pranë kësaj ministrie. Gjatë ditës së premte janë eksportuar 3.895 milionë kwh, energji elektrike ndërsa dje janë eksportuar 4.5 milionë kwh.
Kuotat e Fierzës
295.29 metra niveli i ujit në hec e Fierzës
296 metra pika maksimale
532 m3/sek prurjet e ujit
173.27 metra niveli i ujit në HEC e Komanit
175 metra niveli maksimal i ujit
466 m3/sek prurjet e ujit
75.08 metra niveli i ujit në Vaun e Dejës
76 metra niveli maksimal i ujit
128.58 metra niveli i ujit në hec e Ulëz+Shkopet
128.80 metra niveli maksimal i ujit
20.143 milionë kwh prodhimi vendas i energjisë
16.248 milionë kwh konsumi ditor i energjisë
3.895 milionë kwh eksporti i ditor i energjisë