E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “Për sektorin energjetik, qeveria do të japë maksimumin”



Qeveria shqiptare e konsideron si një ndër prioritetet e saj më të mëdha zhvillimin e sektorit energjetik. Një fakt të tillë, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, e bëri me dijeni gjatë fjalimit që mbajti në konferencën “Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE”. Sipas tij, rritja e sigurisë së furnizimit ka qenë detyra kryesore e Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe është trajtuar në disa skenarë, për të realizuar një furnizim me kosto minimale dhe miqësor ndaj mjedisit. Më tej, ministri Prifti, renditi disa nga drejtimet në të cilat është mbështetur puna e qeverisë, si përcaktimi i një politike afatgjate për zhvillimin e sektorit elektrik, me synim sigurimin e një furnizimi gjithëvjetor dhe cilësor të konsumatorëve me energji elektrike. “Sot mund të themi se të katër këto objektiva janë realizuar në tërësinë e tyre dhe në masën e parashikuar për këtë periudhë”, përfundoi ministri, duke vënë theksin në amendimin e herëpashershëm të kuadrit ligjor, në organizimin e sektorit elektrik dhe ndarjen e KESH-it.

Ankandi, BSH ul në 8 për qind interesin e bonove 12-mujore

Titujt e borxhit të qeverisë shqiptare në lekë me afat maturimi 12-vjeçar pësuan rënie tjetër në interesa në ankandin e fundit të zhvilluar nga BSH-ja. Interesi i bonove 12-mujore u ul me 24 pikë bazë dhe interesi mesatar i pranuar qe 7.89 për qind. Ky është interesi më i ulët i regjistruar që nga tetori i vitit 2008, pra para fillimit të krizës ekonomike botërore. Në ankandin e djeshëm qeveria shiti 7.75 miliardë lekë bono 12-mujore. Kërkesa u mbulua në masën 130 për qind. Interesat e bonove të thesarit kanë pasur tendencë rënëse të theksuar që nga fillimi i këtij viti, por e ardhmja duket e paparashikueshme. Sipas skenarit optimist të qeverisë, emetimi i eurobondeve që mund të ndodhë këtë javë, mund të lehtësojë edhe më shumë interesat e bonove. Por në rast se emetimi i bondeve sovrane në euro dështon, atëherë qeveria do t’i rikthehet me forcë huamarrjes së brendshme, gjë që mund të sjellë rritje të interesave. Tregu i borxhit të brendshëm paguan çdo vit rreth 300 milionë dollarë interesa.

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›