E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas Skënderbeut gdhendet në flori portreti i Nënë Terezës

Berisha njoftoi në mbledhjen e qeverisë prerjen e monedhave flori

Kryeministri Berisha njoftoi në mbledhjen e djeshme të qeverisë prerjen e monedhave të florinjta dhe të argjendta me portretin e Nënë Terezës. Kjo nismë ndërmerret nga qeveria shqiptare me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shenjtores shqiptare me famë botërore. Në kuadrin e shumë veprimtarive që do të ndërmarrë qeveria shqiptare për të përkujtuar ditëlindjen e Nënë Terezës, përfshihet edhe prerja e monedhave të floririt dhe të argjendit me portretin e saj. Prerja e parë dhe e fundit e monedhave të floririt është bërë nga qeveria e regjimit komunist në vitin 1968. Këtë vit qeveria preu monedha floriri dhe argjendi me portretin e heroit kombëtar, Skënderbeu, me rastin e 500-vjetorit të lindjes së tij. Nënë Tereza do të ketë jetë personaliteti i dytë shqiptar që do të ketë portretin e saj të gdhendur në flori pas Skënderbeut.
Vendimi
Kryeministri Berisha njoftoi dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, nismën e qeverisë që me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, të presë, me fonde nga buxheti i shtetit, një sasi monedhash në flori dhe argjend, me portretin e saj.
“Ky vit shënon vitin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, pra është viti i Nënë Terezës. Unë ndjek me angazhim të gjitha hapat, masat dhe aktivitetet që po zhvillohen në kuadrin e këtij 100-vjetori. Por mendoj se në nderim të saj, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, qeveria të presë me fondet e buxhetit një sasi monedhash floriri dhe argjendi me portretin e saj. Duhet të nisim shumë shpejt procedurat dhe, natyrisht, do të jetë Banka e Shtetit që do të përmbushë prerjet, sikundër metali me vlerë do të blihet nga qeveria. Ky vendim nuk e prek rezervën, pasi ajo nuk preket, por qeveria mund ta blejë në treg, kundrejt vlerës, metalin e çmuar dhe duhet të organizohet dizajnoja. Komisioni të ketë edhe ekspertë të vlerave monetare nga Banka e Shtetit, nga Ministria e Financave, por, natyrisht, edhe dizajnues, të cilët do të bëjnë që ne të nderojmë gruan më të shquar të kësaj toke, të të gjitha kohërave”, - është shprehur Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë.
Skënderbeu
Qeveria shqiptare, në vitin 1968 ka prerë monedha floriri dhe argjendi. Por ato nuk kanë qenë për përdorim të brendshëm. Viti ‘68 ka shënuar të vetmin moment kur regjimi komunist preu monedha përkujtimore prej ari dhe argjendi në kuadër të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në lidhje me këtë, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori edhe një dekret të posaçëm të datës 16 janar 1968. Dekreti Nr. 4358, "Mbi prerjen e monedhave përkujtimore prej ari dhe argjendi", gjendet në Gazetën Zyrtare të vitit 1968.
Sipas nenit 1 të këtij dekreti, autorizohej Banka e Shtetit Shqiptar të priste një seri monedhash përkujtimore prej ari dhe argjendi. Sipas nenit 2, këto monedha kishin "kurs ligjor dhe fuqi çliruese për rregullimin e të gjitha detyrimeve, obligacioneve dhe transaksioneve publike e private”. Në nenin 3 të dekretit, monedhat prej ari do të priteshin me përmbajtje ari të thjeshtë 900/1000 dhe lidhje argjendi e bakri 100/1000. Këto prerje do të ishin 20, 50, 100, 200 dhe 500 lekë. Nga ana tjetër, monedhat prej argjendi me përmbajtje argjendi të thjeshtë 1000/1000 ishin të prerjeve 5, 10 dhe 25 lekë. Nga pesha bruto në gram e monedhave vihet re se më tepër peshonin monedhat 500 lekëshe me 98.74 gramë dhe me diametër 55 milimetra. Për këto monedha, neni nr. 5 i dekretit në fjalë parashikonte numrin progresiv nga 1 – 12 000.
I gjithë procesi i prerjes së monedhave dhe më pas i shitjes së tyre ka kaluar nëpërmjet një labirinti me shumë të fshehta. Për një ngjarje të tillë simbolike është shpenzuar një sasi ari që afërsisht është sa e gjithë sasia e arit që ka hyrë në thesar nga viti 1944 e deri në fund të viti 1990. Zyrtarisht shuma e plotë e arit e futur në thesar është 8839 kg, nga e cila më 31 dhjetor 1990 kishin ngelur 1239 kg. Monedha në fjalë i është shmangur tërësisht qarkullimit të brendshëm.

Debati në Presidiumin e Kuvendit Popullor në vitin 1968 për monedhën me portretin e Skënderbeut:

Haxhi Lleshi: ... Mendoj që si pikë të parë të fillojmë me shqyrtimin e projekt-dekretit për prerjen e monedhave përkujtimore prej ari dhe argjendi, mbasi kemi edhe Aleks Verlin (ministër i Financave).
Tonin Jakova: Ky italiani që e merr përsipër këtë, sa fiton? A është në marrëveshje se sa do të fitojë? Cili është çmimi i arit monedhë në drejtim me monedhën e zakonshme? A do të bëhen edhe medaljone të tjera përkujtimore, apo vetëm në këtë rast? Pastaj, kush do t`i shesë? Do t`i shesë ai nën kontrollin tonë?
Gogo Nushi: Ky propozim, për shembull, që bën ai, a janë të lidhura si numër e si vlerë? A është sugjerim i yni, apo i atij? Ata janë ekspertë, janë specialistë për këto punë, prandaj një gjë duhet ta dimë që të jemi të ndërgjegjshëm se nuk i hyjnë kësaj pune për të popullarizuar Skënderbeun. Për shembull ata i lidh interesi i fitimit.
Aleks Verli: Kësaj pune i hyjmë për herë të parë. Duke parë që shpeshherë të huajt na kanë kërkuar të tilla monedha përkujtimore, jo vetëm prej ari, por edhe prej argjendi e bakri, na nxiti që t`i hyjmë një pune të tillë. Nga propozimi i bërë nga ky pamë mundësinë që mund t`i hynim një pune të tillë dhe se kjo mund të jetë me leverdi për ne. Ky i merr të gjitha përsipër, ndërsa nga ne kërkohet autorizim zyrtar. Tani, e kujt është leverdia më e madhe? Kuptohet, e atij; këtë e dimë dhe jemi koshientë sepse ai niset nga qëllimi i fitimit, pasi këto monedha shiten dyfishin e vlerës apo më shumë. Për shembull, 10 lekëshi, në qoftë se e ka vlerën 1 dollar, ai do ta shesë 4 dollarë. Këta bëjnë katalogun e monedhave të ndryshme që i shpallin me vleftën për secilën monedhë. E mbajnë vlerën e monedhës sipas kursit zyrtar. Leku ynë është 0.177 të mijtat e gramit ar, d.m.th. me kursin ligjor kështu llogaritet, por që këtu nuk e kemi shpallur sepse monedha ari në para nuk kemi. Po kështu edhe vendet socialiste nuk e kanë...
Haxhi Lleshi: Po vendet e tjera socialiste kanë nxjerrë të tilla?
Aleks Verli: Nuk na del që të kenë nxjerrë. Na del që të ketë nxjerrë Mao Ce Dunin, por në medaljon është ndryshe, nuk i japin llogari askujt. Ndërsa për të nxjerrë para nuk mund të bëjnë shtypjen në qoftë se nuk marrin autorizimin nga vendi përkatës. Sipas llogaritjeve del që 30% të fitimeve ai na i jep neve, 20% i ka shpenzime, pastaj bankat, ryshfetet që kanë etj. A mund të bëjmë monedha të tjera përveç këtyre? Mund të bëjmë. Tani për tani këto menduam. Në lidhje me afatin e shitjes ai na kërkon afat 4-5 vjet, ndërsa ne i thamë deri në 3 vjet. Mendojmë se brenda 3 vjetëve mund të shiten.
Tonin Jakova: Sa është gjithsej sasia e arit?
Aleks Verli: Janë rreth 80-82 kuintal ar. Tani, nga ana teknike, a i kemi mundësitë që të mos abuzojmë? Në marrëveshje kemi arritur që këto monedha të dalin nga 5 shtëpi të njohura, dy në Itali, një në Francë, një në Zvicër dhe një në Gjermaninë Perëndimore. Të drejtën e kontrollit e kemi, por ka një gjë tjetër se këto ruhen shumë nga komprometimi.
Tonin Jakova: Në qoftë se i kemi mundësitë, a nuk mund t`i bëjmë vetë këto monedha?
Aleks Verli: Vetë nuk i kemi mundësitë. E kemi të zorshme se është hera e parë që bëhet, pastaj këto janë shoqëri që njihen, kanë degët e tyre, kanë agjentët e tyre, njihen me gjithë bankat e botës.
Haxhi Lleshi: Shpjegimet më duket janë të qarta. Këta të financës e kanë parë, qeveria e ka parë, interes, siç paraqitet, kemi. Prandaj mendoj që duhet ta aprovojmë dekretin...".

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›