Lohan: “Dialog politik në Kuvend për hir të integrimit”
Ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, përcolli sërish dje mesazh të qartë për partitë politike për dialog konstruktiv, si element i nevojshëm për të ecur drejt Bashkimit Europian. Pikërisht integrimi i Shqipërisë në familjen europiane ishte tema e konferencës që u zhvillua dje paradite, në të cilën merrnin pjesë ambasadori italian, Saba D’Elia, kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. “Një prej zonave ku duhet të inkurajojmë është fryma e dialogut konstruktiv politik mes të gjithë shqiptarëve, ky është i nevojshëm për të ecur përpara drejt BE-së. Fryma e dialogut duhet shfaqur mbi të gjithë në Kuvend, që është një vend institucional”, - nënvizoi Lohan. Ambasadori Lohan vlerësoi shpejtësinë e dorëzimit të Pyetësorit për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë dhe tha se reagimet e para të ndërkombëtarëve janë pozitive, por nënvizoi se “duhet ende shumë punë në drejtim të përmirësimit të luftës kundër korrupsionit, si dhe në zbatimin e legjislacionit, i cili ka mbetur vetëm në letër”. Një sektor i veçantë, sipas tij, që kërkon shumë vëmendje, është dhe Drejtësia. Nga ana e tij, kryeministri Berisha tha se 96% e shqiptarëve duan integrimin dhe se anëtarësimi në familjen europiane është rruga më e shkurtër për të kapur kohën e humbur. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi se 70% e akteve ligjore shqiptare është në të njëjtën linjë me legjislacionin europian.
20 Maj 2010