Gjyqi i humbur, qeveria detyrohet t’i paguaj 11 milionë euro “GE”-së
Ervin KOÇI
Qeveria shqiptare ka pranuar humbjen e gjyqit ndërkombëtar të Arbitrazhit me kompaninë amerikane “Gjeneral Electrics” në idhje me anulimin e kontratës së trenit elektrik. Për këtë pasojë, qeveria ka miratuar dhe në mbledhjen e saj të djeshme pagesën e gjobës në masën 11 milionë euro kësaj kompanie, duke zbatuar kështu ekzekutimin e vendimin e marrë nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Romë, Itali. Ky ekzekutim i përket çështjes nr.14403/FM “General Electrics, Athena” (Iliria Consortium), kundër Ministrisë shqiptare të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në vlerën 11.000.000 (njëmbëdhjetë milionë) euro, vlerë për të cilën është rënë dakord sipas marrëveshjes së negocimit me “General Electrics”, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi. Me anë të këtij vendimi qeveria caktoi që MPPT- së, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, t’i shtohen fondet përkatëse për kryerjen e pagesës së vlerës sipas pikës 1, të këtij vendimi, dhe procedura e ekzekutimit të jetë në përputhje me marrëveshjen e negocimit, ndërmjet “GE Transportation System S.p.a.” dhe Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga MPPT-ja. Detyrimi financiar i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga buxheti i shtetit, fondi i kontigjencës. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Transportit për zbatimin e këtij vendimi.
Gjyqi
Odiseja e çështjes gjyqësore mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë amerikane nisi që në vitin 2005, pasi qeveria demokratike e sapoardhur në pushtet prishi në mënyrë të njëanshme kontratën prej 70 milionë dollarësh për ndërtimin e trenit elektrik Tiranë-Durrës. Mosmarrëveshja, objekt shqyrtimi në Gjykatën e Arbitrazhit ka qenë kontrata e datës 15 shtator 2003 për modernizimin e seksioneve të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe Aeroportit të Rinasit. Sipas MPPT-së, "njoftimi për të proceduar", komunikimi i ish-ministrit Poçi, i datës 3 dhjetor 2003, ku kërkohej procedimi i menjëhershëm i një pjesë të kontratës, ka shërbyer në mënyrë të veçantë si provë në favor të "General Electrics Transportation System, Athena" (Iliria Consortium) s.a, kundër Shtetit Shqiptar në këtë proces. Njoftimi për shtyp sqaron se: ministri aktual ka marrë dijeni për çështjen, nga vendimi përfundimtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit IÇ në Romë, dokumentacionit të depozituar nga përfaqësues të shtetit Shqiptar dhe Avokaturës së Shtetit pranë kësaj dhome dhe fakte të lidhura me këtë gjykim, “ka dyshime të arsyeshme në kryerjen e një krimi, që i kushton sot të paktën 12 milion euro Shtetit Shqiptar, faturë që rritet çdo ditë për shkak të interesave".
Kompania
“General Electrics” është një kompani mjaft e njohur prestigjioze dhe e plotfuqishme në qeverinë amerikane. “GE” ka një ndër nivelet më të larta të kontraktimeve me qeverinë amerikane. Ajo është një ndër 3 prodhuesit më të mëdhenj të botës së makinerive, të pajisjeve për Boeing dhe për prodhimet e avionëve ushtarakë. Lufta kundër terrorizimit i ka rritur në mënyrë të menjëhershme kontratat ushtarake me këtë kompani. Madje, gjatë kohës së Klintonit, “GE” ka pasur një bum të kontratave ushtarake në bazë të direktivave të Presidentit, të cilat i lejonin diplomatët amerikanë që të promovonin shitjen e armëve jashtë, me qëllim mbrojtjen e investimeve amerikane. Kompania është një nga furnizuesit më të mëdhenj në botë për sa i përket zhvillimit të teknologjive të reja, si dhe të ekonomisë në vendet e zhvilluara ku përfshihen pjesë të këmbimit për avionë, energji, naftë, gaz e ndërtimin e hekurudhave.
20 Maj 2010