Financat shqiptare, rreziku vjen nën rrogoz
As falimentime të bujshme, as panik si bota, por rënie të ngadalshme nga emigrantët, eksportet dhe investimet
Si në shprehjen e famshme: “No panic, no Titanic”. Një mënyrë për të mos mbjellë panik në “anije”, por edhe sa? Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, kërkon ta përmbledhë sa më shkurt krizën shumëplanëshe financiare nëpër botë dhe merakun e ka te ajo çfarë pritet të ndodhë në Shqipëri. Mundohet të sensibilizojë politikëbërjen dhe njerëzit e financave, që të informojnë publikun dhe të mos ngrenë murin e heshtjes, për probleme, me të cilat përballet mbarë globi. Kriza shqiptare, sipas Canit, është tjetër, pa falimentime të bujshme, radhë të gjata depozituesish që kërkojnë të tërheqin kursimet e tyre nga bankat, bankierë që vetërrëfehen, apo vetëvriten, shtetëzime bankash si në Europën Perëndimore dhe ndihma kolosale për të ndihmuar sistemin bankar. Shqipëria është një rast tjetër, që nuk do t’i japë këto simptoma për momentin, por do të bartë një rënie të vazhdueshme ekonomike, apo një krizë që do ta gërryejë nga brenda ekonominë e brishtë shqiptare. Dhe nuk janë pak, por burimet më të rëndësishme që i japin jetë ekzistencës së shumicës së popullatës, që jeton nën minimumin jetik dhe ekonomive të vogla që kontribuojnë në punësimin dhe krijimin e të mirave materiale. Që do të pakësohen pak nga pak dhe do të injektojnë përditë e më pak tregun e parasë, duke e reflektuar këtë shterrje në të gjithë sektorët socialë dhe ekonomikë të vendit. Gjendja do të bëhet edhe më e rëndë, nëse qeveria nuk do të gjejë një përgjigje të shpejtë për të zëvendësuar mungesën e parasë në qarkullim dhe të parasë që duhet për investime.
Emigrantët
Fakti se nuk ka mbetur vend i zhvilluar pa u prekur nga kriza financiare, do të thotë shumë për Shqipërinë, e cila ka rreth një të tretën e popullsisë në këto vende, si emigrantë ekonomikë. Ata, prej vitit 1991, janë pjesa më vitale e ekonomisë dhe e financave të vendit dhe sjellin aktualisht rreth 900 milionë euro në vit, në formë dërgesash për familjet e tyre në atdhe. Janë para që vlejnë për të mbajtur më frymë familjarët e tyre që jetojnë nën minimumim jetik, për blerjen e mallrave të konsumit, pasurive të patundshme, deri dhe krijimin e bizneseve të vegjël. Fakti se ata janë emigrantë, nuk i përjashton nga kriza që kalojnë vendet ku jetojnë, si: Greqi, Itali, Gjermani, Britani e Madhe apo SHBA e Kanada. Përpara krizës financiare, ata do përballen me kërcënimin e papunësisë në rritje, recesionit, shkurtimit të mijëra vendeve të punës. Por, në fund të 2008-ës, emigranti shqiptar nuk është më ai i para disa viteve. Shumica kanë bërë bashkime familjare, kanë blerë pasuri të patundshme atje ku jetojnë, financojnë shkollimin e fëmijëve dhe, në vendlindje, sjellin më shumë “kujtime”.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 190 mijë, nga 728 mijë familje, pra, rreth çereku i tyre, përfitojnë dërgesat e emigrantëve. Pa këto dërgesa, shumica e popullsisë së varfër, do të “vdiste për bukë” dhe këtë e pranon me keqardhje edhe Banka Botërore, e cila thotë se, megjithëse Shqipëria është një ndër vendet me dërgesa më të larta të emigrantëve në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, fondet deri më sot kanë shkuar për konsumin e përditshëm, në vend që të shndërroheshin në investime të rëndësishme për rritjen ekonomike. Vetëm vjet llogariteshin mbi 30 milionë euro më pak, krahasuar me një vit më parë, nga dërgesat e emigrantëve, të cilat përfaqësojnë rreth 20 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
Rënia e eksporteve
Kriza financiare që ka kapur vendet e BE-së, do të ketë pasoja direkte edhe mbi eksportet shqiptare, të cilat përfaqësojnë një zë të mirë në ekonominë shqiptare. “Rritja e ulët ekonomike për vitin 2009 në vendet e BE-së, do të ketë ndikim edhe te eksportet shqiptare, që përfaqësojnë rreth 750 milionë euro në formë mineralesh të ndryshme, naftë bruto, apo tekstile dhe këpucë, (me material porositësi), thotë ish-guvernatori Cani. Një Europë me rënie ekonomike, do të ketë më pak kërkesë për eksportet shqiptare, plus kësaj, edhe fakti se do të ketë një rënie të ndjeshme të çmimeve për lëndët e para në mbarë tregjet botërore. Kjo do ta rëndojë akoma edhe më shumë deficitin tregtar të vendit, i cili, për vitin e shkuar, ishte mbi 2.2 miliardë euro, ose 27 për qind më i lartë se në vitin 2006. Deri një vit më parë, eksportet shqiptare mezi arrinin të mbulonin 26 për qind të importeve, siç thuhet në të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe, ky raport, ka ardhur duke u thelluar dhe duke rritur deficitin. Vjet importet ishin rreth 2. 9 miliardë euro, shumica makineri dhe mallra konsumi, ndërsa eksportet rreth 780 milionë euro dhe këto ishin, shumica, produke të industrisë përpunuese, që nuk janë produkte të mirëfillta shqiptare, sepse lënda e parë për këto produkte vjen në Shqipëri, përpunohet dhe rikthehen në tregjet e huaja në formë këpucësh e veshmbathjesh.
Deklaratat
Guvernatori Fullani:
“Sistemi bankar shqiptar është i sigurt, siguria e këtij sistemi qëndron në parametrat e tij të kapitalit, të likuiditetit dhe të fitimit. Sistemi bankar shqiptar është fitimprurës dhe kreditë me probleme janë brenda parametrave të caktuar ndërkombëtarë. Standardi ynë i mbikëqyrjes është një tjetër element i shtuar i rrjetës mbrojtëse që krijon Banka e Shqipërisë” Washington, 14 tetor 2008.
Kryeministri Berisha:
“Mënyra e operimit të bankave në Shqipëri, i bën ato shumëmë të sigurta. Ato kanë një specifikë shumë më të veçantë, ku, nivelin e kreditit, nuk e kanë më të madh sesa 60 apo 70 për qind të depozitave, ndërkohë që, në perëndim, këto kreditime, kanë qenë edhe 130 për qind të depozitave”.Bruksel, 15 tetor 2008A. Rrozhani
-----------------------------------------------------------------------Pasiguria e bankave, në dyshim edhe financimi i artit
Nuk parashikohen financime të reja, për projekte “misesh”, spektaklesh, apo ndërmarrjesh më të arrira artistike. Të paktën tani për tani. Por, peng kanë mbetur projektet e vjetra të nisura muaj apo vite më parë, kur bankat ishin hedhur në kundërsulm për të zaptuar jetën sociale, politike, ekonomike dhe atë kulturore. Nëse deri pak javë më parë nuk linin koncert, apo shfaqje pa financuar, tani portofoli është “ngrirë”, duke lënë në mes shumë projekte të nisura më parë. Siç ndodh me një film dhe një producent shqiptar, i cili tani, në mes të prodhimit të filmit, nuk di se çfarë të bëjë me projektin filmik që ka angazhuar aktorë vendas dhe të huaj. Njëri prej financuesve të rëndësishëm të filmit është bankë e mirënjohur e nivelit të dytë në Shqipëri, e cila momentalisht i përgjigjet producentit: “Tani nuk mundemi, të shohim se si do të ecin gjërat, sepse nuk e dimë se ku kemi kokën”