E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientët në operacion edhe kur nuk e kanë të nevojshme

Sipas drejtorit të Mjeksisë Ligjore, disa kirurgë bëjnë operacione për intersat e tyre. Toska: Janë vepra, penale por nuk mund t’i verifikojmë

Pacientë që dërgohen drejt operacioneve edhe pa qenë e nevojshme, për interesa të kirurgëve dhe mungesës totale të ndëshkimeve ndaj këtyre abuzuesve. Nëse në klinikat e vendeve të tjera, për rastet e pacientëve që nuk ka çfarë u bën mjekësia, dërgohen pranë familjarëve që të kalojnë ditët e fundit, këtu ndodh ndryshe pasi, këta fatkeqë, do t’i nënshtrohen bisturisë, edhe pse kjo e fundit, nuk mund t’u sjellë asnjë dobi. Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj, thekson për gazetën se mjeku kurues e ka për detyrë që shumë diagnoza kirurgjikale, që janë të diskutueshme për ndërhyrje, do të përcaktohen me komisionm që të pranohet të bëhet ndërhyrja. Ndërsa presidenti i Urdhërit të Mjekut për Rajonin e Tiranës, Faik Toska, pohon se e kanë të pamundur të vërtetojnë nëse një pacienti i bëhet operacion edhe nëse nuk e ka të nevojshme, por nëse do të vërtetohej kjo, do të ishte vepër kriminale nga ana e kirurgëve.

Operacionet

“Pacientët që nuk kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, nuk kanë pse operohen”. - Kështu u shpreh kreu i Mjekësisë Ligjore, Ymaj, duke theksuar se duhet detyrimisht që, edhe në Shqipëri, të krijohet një konsensus mes pacientëve dhe mjekut, ku ky i fundit t’u bëjë të ditur familjarëve dhe të sëmurëve, se sa është risku për të humbur jetën dhe sa është probaliteti për të shpëtuar jetën. Sipas tij, ky konsensus, duhet të jetë i shkruajtur dhe firmosur nga palët, por këtu, në shumë raste, nuk ndodh. “Ka abuzime në këtë mes në vendin tonë dhe, abuzimet, janë pikërisht nga kirurgët për interesat e tyre. Për disa kirurgë, edhe pse vdes pacienti pas operacionit, nuk është ndonjë problem i madh. Por duhet të theksojmë se kjo është një barrë e rëndë edhe për klinikën, pasi çdo vdekje që ndodh aty, është një tregues për atë lloj klinike, sepse të gjithë klinikat kanë tregues për arritjet e tyre të vdekshmërisë”,- pohon Ymaj. Ndërkohë ai shpjegon se jashtë shtetit, për rastet e pacientëve që nuk ka çfarë u bën mjekësia, shmangen operacionet dhe i lënë thjesht në mjekim dhe konsulenca, duke vdekur pranë familjeve. Këtu nuk ndiqet kjo praktikë, pikërisht për shkak të përfitimit që mund të kenë mjekët dhe nuk merret asnjë masë.

Verifikimi

“E pamundur për të verifikuar nëse një kirug ka ushtruar bisturinë e tij mbi një pacient që nuk e ka të nevojshme operacionin”. - Kështu u shpreh persidenti i Urdhërit të Mjekut për Rajonin e Tiranës, Faik Toska, i cili thekson se kjo do të përbënte një vepër penale kundër kirurgëve. “Nëse një pacienti i bëhte një ndërhyrje e panevojshme me qëllim, është përgjegjësia e mjekut. Nuk është se kemi arritur të vërtetojmë se mjekët i dërgojnë pacientët drejt operacioneve edhe nëse nuk e kanë të nevojshme, pasi kjo do të përbënte një krim. Ky është një faj. Nëse arrijmë të vërtetojmë raste të tilla, atëhërë, këta mjekë, duhet të dërgohen për ndejkje penale, por ne nuk kemi konstatuar ndonjë rast”, - pohon Toska, duke shpejguar se është e pamundur të vërtetohen raste të tilla, pasi ne nuk mund të zbulojmë mendjen e mjekëve se çfarë kanë menduar dhe se, kur verifikojmë ndonjë rast abuzimi, bazohen gjithmonë mbi atë se çfarë shkruhet.

Sipas presidentit të Urdhërit të Mjekut, klinikat nuk bëjnë analizat e vdekjes. Kështu mund të dalin gabimet e mjekëve

Toska: Të bëhet analizat e vdekjes për çdo pacient

“Klinikat duhet të bëjnë analizat e vdekjeve për çdo pacient që ndërron jetë në spital, për të nxerrë në pah gabimet e mjekëve”. - Kështu u shpreh presidenti i Urdhërit të Mjekëve për Rajonin e Tiranës, Faik Toska, i cili thekson se kjo ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e instutucionit që ai drejton. Sipas tij, analiza e vdekjes, është analiza mbi mjekimin, ekzaminimet dhe të gjitha trajtimet që i janë bërë pacientit gjatë kohës që ka qenë në spital. “Një nga pikat që kemi kërkuar të zbatohet gjithmonë, ka qenë analiza e vdekjeve të pacientëve. Këtu ka patur defekt në analizën e vdekjeve dhe ne u kemi tërhequr vëmendjen spitaleve që t’i kushtojë kujdes kësaj çështjeje”, - pohon Toska. Sipas tij, kjo është kërkuar pasi, me anë të analizave të vdekjeve, mjeku mëson se ku ka gabuar dhe, së dyti, nëpërmjet analizës së vdekjeve, korrigjon veten e tij dhe e treta është se dalin statistika që vlejnë për studimin. Ndërkohë, ai pohon se analizat e vdekjes duhet të shikohen nga drejtoria e spitalit dhe ky institucion, për të gjykuar mbi punën dhe arritjen e mjekëve më tej, ia dërgon edheMinsitrisë së Shëndetësisë, e cila gjykon mbi ushtrimin e standardeve të profesionit në një nivel më të përgjthshëm. “Ne kërkojmë që analiza e vdekjes të bëhet detyrimisht. Analiza e vdekjes është kur vdes dikush në spital, për të cilin gjykohet se çfarë trajtimesh ka bërë, nëse është bërë ndonjë gabim, vdiq sepse u bënë të tëra dhe sëmundja ishte e pashërushme etj”, - pohon Toska. Por, ajo çka është me rëndësi në një analizë vdekjeje, sipas Toskës, është ana studimore, sepse pa analizat e vdekjes, nuk mund të ecë as shkenca mjekësore përpara, pasi nëpëmjet analizave, mëson dhe korrigjon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›