Kreditë, shtrëngohen të rejat, shtrenjtohen të vjetrat
Gjithsesi kjo nuk është një hata e madhe për Bankën e Shqipërisë, e cila thotë se nëse kriza do të vonojë të vijë në Shqipëri, një nga arsyet është se shumica e parave janë jashtë kanaleve bankare, të siguruara në dyshekë.
Shtohen kushte për të marrë kredi bankare, kushtojnë më shumë ato në valutë
Sinjali i parë ishte zhdukja e reklamave, të shumëllojshme, por me një mision: “thithjen e klientëve për kredi që jepen pa asnjë kusht, pa kolateral, vetëm me një dokument identifikimi dhe me një procedurë të përshpejtuar. Ndryshimi tjetër është kur shkon të aplikosh për një kredi dhe “lamtumirë” ëndërr për të përfituar menjëherë, apo me kushte lehtësuese. Një realitet i njohur edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila thotë në raportin e saj të fundit: “Për gjashtëmujorin e parë të 2008-ës, bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues, bankat raportojnë për shtrëngim të mëtejshëm të standardeve të kredisë, krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2007, si për bizneset ashtu dhe për individët. Bankat kanë qenë më të kujdesshme për kredinë dhënë bizneseve të mëdha dhe kredinë e individëve për qëllime konsumi se sa për kredinë akorduar bizneseve të vogla dhe kredinë hipotekore”. Specialistë të pavarur dhe ekspertë të ekonomisë, vitet e fundit, disa herë kanë dashur të trajtojnë problemin e kreditimit kuturu dhe shtimin e kredive të këqija, por bankat e nivelit të dytë dhe mbikëqyrsja e tyre, BSH-ja, kanë qetësuar me argumentimin se janë probleme “brenda kufijve të lejuar”. Banka e Shqipërisë specifikon edhe faktorët e kësaj situate, siç janë gjendja financiare e individëve, shtimi i kredive me probleme apo forcimi i standardeve nga ana e bankave për kreditë ndaj biznesit, duke rritur marzhin për kreditë me rrezik dhe kërkesat për kolateral, në raport me madhësinë e huasë. Një ndryshim sjelljeje që nuk dihet se sa do ta riparojë “gropën financiare” të shkaktuar nga kreditë e këqija, që jepeshin nga bankat për të paguar kredi të tjera.
Sipas të dhënave të BSH-së, kredia për ekonominë, gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2008, ka vijuar të rritet me një normë vjetore mesatare prej 45.5 për qind, duke arritur në 34 për qind ndaj Produktit të Brendshëm Bruto. Sektorët e tregtisë, ndërtimit dhe industrisë, kanë thithur rreth 77 për qind të kredisë për biznese, e që është përdorur për të mbuluar nevojat me likuiditete (48 për qind) dhe për të financuar investimet në pasuri të paluajtshme (22 për qind). Kredia për individë në terma vjetorë, është rritur mesatarisht me 51 për qind, për periudhën janar – korrik 2008. Megjithatë, rritja e kredisë për individët, është karakterizuar nga një tendencë rënëse, duke arritur në 44.3 për qind në muajin korrik, nga 57.5 për qind që ishte në fund të vitit 2007 dhe që tregon ngadalësimin e kredisë për konsum. Nga ana tjetër, kredia për pasuri të paluajtshme, e cila përbën rreth 66 % të portofolit të kredisë për individë, ruan ritme të larta rritjeje, duke dhënë kontributin më të madh në rritjen e këtij portofoli. Qëndrueshmëria e ritmeve të larta të kredisë për pasuri të paluajtshme për individët, si dhe përshpejtimi i asaj për biznese, kanë rritur peshën e kësaj kredie, duke e çuar në nivelet 12.5 % ndaj PBB-së, 2 pikë përqindjeje më shumë se në fund të vitit 2007.
Kreditë e reja
Kreditë e reja do të jenë më të vështira për t’u marrë, por kreditë e vjetra, veçanërisht ato në valutë, do të jenë më të shtrenjta. “Parajsa e kredive ka mbaruar”, - thotë një prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që nuk indetifikohet, sepse një nen i Ligjit për bankën, e ndalon anëtarin të shprehet publikisht, duke ia lënë këtë mision vetëm guvernatorit. “Këtu nuk ka transparencë nga Banka e Shqipërisë”, - ankohet ish-guvernatori Cani, që kujton takimin e para ca kohëve në Itali, ku dinin shumë më tepër për ekonominë shqiptare, sepse informacioni keqpërdoret.
Një gjë është e sigurt: Kriza financiare globale, do të reflektohet në sistemin bankar me tkurrje dhe pasiguri nga ana e bankave për të kredituar. Por kjo do t’i heqë “oksigjenin” sipërmarrjes, e cila në ato sektorë ku ka patur rritje, i dedikohet veçanërisht kreditimit bankar. Nga ana tjetër, do të nxjerrë fare nga lista kreditimin e bujqësisë, një sektor i diskriminuar deri në sot nga bankat e nivelit të dytë për përfimine kredive. Por ngadalësimi, apo stopimi i kreditimit do të frenojë investimet në sektorët jetikë të ekonomisë kombëtare, të cilat do të pasohen nga stanjacioni ekonomik, mbyllja e ndërmarrjeve dhe nxjerrja në rrugë e të punësuarve.
Kreditë në valutë do të jenë më të shtrenjta dhe do të jenë një telash më shumë për huamarrësit. Nuk janë pak, por rreth 200 miliardë lekë kredi të dhëna në valutë, të cilat po shtrenjtohen përditë nga zhvlerësimi i lekut dhe shtrenjtimi i euros dhe dollarit. Vetëm javët e fundit, dollari është forcuar ndjeshëm dhe po ashtu edhe euro, megjithëse ajo është zhvlerësuar kundrejt dollarit në bursat botërore. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë: “Kreditë në euro kanë vazhduar të kenë kërkesë të lartë në të gjitha përdorimet, e kryesisht për pasuri të paluajtshme”.
“Kursi” 1-vjeçar i deklaratave të BSH-së
28 shtator 2007
Politikat aktive të bankave në drejtim të zgjerimit të rrjetit, si edhe në drejtim të investimit të burimeve financiare, u shoqëruan me rritje të vëllimit të depozitave dhe të aktiveve fitimprurëse. Ritmet e kreditimit të ekonomisë konsiderohen relativisht të larta, ndërkohë që, cilësia e portofolit të kredisë, mbetet në nivele të kënaqshme.
19 mars 2008
-Banka e Shqipërisë vlerëson që, situata e vështirë që po kalojnë tregjet ndërkombëtare financiare, shton rrezikun për sistemin financiar shqiptar. Për shkak të disa faktorëve që lidhen me karakteristikat e zhvillimit të veprimtarisë financiare brenda vendit, situata e vështirë në tregjet ndërkombëtare, nuk pritet që të ketë një efekt real dhe të ndjeshëm në tregun e brendshëm financiar.
3 tetor 2008
-Bazat e ekonomisë shqiptare vazhdojnë të jenë të qëndrueshme dhe sistemi bankar në Shqipëri vazhdon të jetë i mirëkapitalizuar dhe likuid. Megjithatë, zhvillimet e fundit në tregun global, diktojnë nevojën për një kujdes më të madh, në zhvillimin e ekuilibruar të veprimtarisë bankare.
7 tetor 2008
Rritja e shpejtë e kredisë dhe vështirësitë që mund të ndeshin sektorë të veçantë të ekonomisë që janë kredituar në mënyrë të ndjeshme, janë faktorë që do të vijojnë të ushtrojnë presion mbi cilësinë e kredisë në të ardhmen. Për këtë qëllim, bankat do të ndjekin një politikë të identifikimit sa më të shpejtë të kredisë me probleme dhe të krijojnë menjëherë fondet përkatëse rezervë. Banka e Shqipërisë, do të rrisë numrin e kontrolleve për të verifikuar këtë proces.
8 tetor 2008
Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë së sektorit bankar, përfaqësohet nga depozitat e publikut. Financimi i veprimtarisë nëpërmjet linjave të kreditimit të marra nga grupet bankare zotëruese, është rritur në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, por është ende në nivele të pranueshme. Treguesi i likuiditetit ka shfaqur rënie, duke mbetur sidoqoftë në nivel të kënaqshëm, më i lartë se vendet e tjera të rajonit.
Kthimi i depozitave në valutë, shtrenjtohet euroja dhe dollariMëse 6 vite më parë, mjaftoi një panik dhe, ish-Banka e Kursimeve, u gjend para kolapsit. Ishte një inat i disa qarqeve greke që, pasi panë se nuk kishin më shpresa për të fituar pronësinë e bankës që kishte shumicën e depozitave të shqiptarëve, sajuan lajmet për vështirësitë likuiduese të bankës. Të parët erdhën emigrantët tanë në Greqi, të cilët kishin vënë në këtë bankë kursimet e punës së rëndë në shtetin helen. Situata u bë problematike dhe sportelet nuk arrinin të kthenin depozitat e mijëra kursimtarëve. Gjendja u qetësua shpejt, por pas imazhit që u krijua duke risjellë në mendje kolapsin financiar të skemave piramidale, ish-Banka e Kursimeve mendohej të kishte humbur rreth 10 milionë dollarë. Tani nuk ndodh kështu dhe nuk ka arsye. Por depozituesit, gjithsesi, janë të shqetësuar, aq sa po ndikojnë në shtrenjtimin e valutave në vend. Shumica e sporteleve të bankave, këto ditë janë përplot me depozitues që kërkojnë të heqin paratë dhe, nëse i kanë në lekë, i konvertojnë ato në valutë. Ndërkohë, në tregjet botërore, dollari është forcuar ndjeshëm përballë euros, rendja e depozituesve të bankave për të kthyer lekun në dollarë dhe euro, ka shtrenjtuar edhe këtë të fundit.