E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rajmond Domeneku, si Agjenti 007!

Sipas "L'Equipe", trajneri francez e ka shpëtuar për mrekulli vendin e punës te "gjelat"

Domeneku, si Xhejms Bondi, njeriu që nuk vdes kurrë. Ndërkohë që Franca është përfshirë nga polemikat mbi fishkëllimat ndaj himnit francez, në ndeshjen e luajtur kundër Tunizisë, të martën e shkuar, një njeri buzëqesh: ky është Rajmond 007 Domenk, "shënjestra e lëvizshme", i konfirmuar si trajner i Francës deri në Botërorin 2010.

E NESERMJA - Sipas "L'Equipe", në orën 21.57 të ditës së shtunë, Domeneku konsiderohej i larguar nga puna e tij si trajner i Francës, pasi ishte në disavantazh 02 me Rumaninë. Por, si çdo Agjent 007, ai e di se "e nesërmja nuk vdes kurrë". Në fund të ndeshjes, Riberi dhe Gurkuf i dhanë drejtim tjetër karrierës së Domenekut. "Vdekja mund të presë!" Fishkëllimat e tifozëve tunizianë, në ndeshjen miqësore të së martës, bënë që çështja "Domenek" të harrohej e të kalonte në plan të dytë, pasi opinioni futbolldashës, por jo vetëm ai, e ktheu vëmendjen tek incidentet në tribuna. Por Domenek shprehet se nuk i ka dëgjuar fare fishkëllimat. Sipas gazetës "Liberation", Domeneku u rikonfirmua në krye të kombëtares, pas një mbledhjeje të shpejtë. Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Eskalet, ishte thirrur në një takim urgjent në Pallatin Elize, për të vendosur për masat kundër incidenteve të tilla, të cilat mund të jenë ndërprerje e ndeshjes, shtyrja e miqësoreve të ardhshme me kombëtaren, tifozët e së cilës krijojnë probleme, ndalim për të hyrë në stadium për fajtorët etj.

SHURDH - Domeneku doli nga selia e federatës franceze me atë buzëqeshje që shprehte "hakmarrje" ndaj medieve që thoshin se kishte marrë fund. Por Domeneku i shkathët zgjodhi rrugën "qentë le të lehin, karvani të ecë përpara". Franca, në realitet, iu rikthye lojës së bukur dhe golave dhe trajneri i shpëtuar e ka vendosur tashmë objektivin: finalistë të Kupës së Botës 2010, ashtu siç kishte vepruar në vitin 2006, ndoshta kundër Italisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›