E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Dekorimi i prokurorit Breca ishte një handikap,do të korrigjohet

 

Sokol Balla

Presidenti Bamir Topi "tërhiqet" nga dekorimi pak muaj më parë i prokurorit Skënder Breca. Pas disa shkrimeve në shtyp dhe më pas akuzave të Kryeministrit Berisha, kreu i shtetit pranoi se në këtë proces ka pasur një handikap, duke premtuar se do të rishikohet gjithçka lidhur me këtë rast. Skënder Breca ka qenë prokurori që ka dhënë pretencën për dënimin me pushkatim të Xhelal Koprencës, i dënuar për arsye politike nga diktatatura komuniste.  Në një intervistë në "Top Channel", kreu i shtetit foli edhe për rikthimin e Kodit zgjedhor dhe marrëdhëniet me Berishën e Topallin.
Kryetari i PD-së iu referua dekorimit të një prokurori Skënder Brecës. A keni ju një koment për dekorim që keni bërë si President, por si President antikomunist të një prokurori që ka marrë pjesë në gjyqe politike?
Pa dyshim ndjej keqardhje. Bëhet fjalë për një person të cilin nuk e kam njohur dhe padyshim e gjithë procedura e dekorimeve, që realizohet nga institucioni i Presidentit ndjek një rrugë të caktuar institucionale për fat të keq. Qoftë në momentin e propozimit, qoftë në momentin e filtrimit këtu ka pasur një handikap dhe me bindje them që është një vendim për t'u rigjeneruar. Por gjithmonë kam pasur, në të gjitha hulumtimet që kam bërë rreth kësaj procedure, stafi që ka asistuar është mjaftuar vetëm me referenca shumë sipërfaqësore. Janë marrë parasysh se ky person ka punuar në institucione të rëndësishme në vitet e demokracisë, në Gjykatën e Lartë, në Prokurori dhe për një periudhë të caktuar kohe në KLD dhe ka mjaftuar për të thënë që gjithçka është e pastër. Ndjej keqardhje dhe gjithçka do rivendoset në moralin e vet. Nuk ka të bëjë fare me asnjë lloj ndjeshmërie individuale, se ju e dini ndjeshmërinë time të thellë dhe respektin tim të thellë për shtresat e të përndjekurve, sepse e kam ndjerë këtë persekucion edhe në familjen time.
Këmbëngulja e maxhorancës për të kaluar një ligj (dosjet) me gjithë kundërshtimin e madh të faktorit ndërkombëtar, shkoi deri në atë pikë, saqë SHBA t'i kujtojë nga ne se nuk ka vuajtur direkt prej komunizmit. Si e shikoni ju këtë situatë?
Këtë përgjigje mund t'ua japin më mirë ata që ju i referoheni. Në bindjen time SHBA kanë qenë, janë kampionë të demokracisë dhe pika e referimit për standarde të larta të demokracisë. Ka qenë një fat i jashtëzakonshëm, që në momentet më të vështira, historike të kombit tonë kemi pasur afër një mik shumë të madh. Kjo ka bërë të mundur që Shqipëria sot të jetë pranë hyrjes me të drejta të plota në NATO, pa diskutuar pastaj çështje të tjera që kanë të bëjnë me çlirimin e Kosovës, me krijimin e të gjitha kushteve për pavarësinë e saj, me një asistencë të jashtëzakonshme përsa i përket demokracisë dhe institucioneve demokratike në Shqipëri, për stabilitetin rajonal dhe të gjitha partnershipet që kemi. Ata janë aleati ynë numër një.
Dje komisioni i Reformës Zgjedhore diskutoi mbi dekretin tuaj për Kodin zgjedhor dhe miratoi një dispozitë, që do zgjidhë problemin teknik të afateve. Mendoni se do të ishte zgjidhja e duhur?
Unë besoj se ka qenë një reflektim i nevojshëm, i domosdoshëm. Dëshiroj të përgëzoj përfaqësuesit politikë në komisionin e Reformës Zgjedhore, të cilët morën në konsideratë shqetësimin e Presidentit, i cili nuk ishte shqetësim për një çështje kushtetuese, ç'është e vërteta, por kishte të bënte me një domosdoshmëri teknike. Kishte të bënte me nevojën që kishte Presidenti për të ushtruar të drejtën e tij kushtetuese dhe ligjore në caktimin e datës së zgjedhjeve. Më vjen mirë që reflektuan në këtë mënyrë. E kam të qartë që gjithmonë politika reagon në disa raste në mënyrë emocionale. Nuk dëshiroj t'i rikthehem në retrospektivë mënyrës së reagimit, por ajo që e dallon një politikan aktiv në Parlament me Presidentin, është pikërisht çështja e ftohtësisë në marrjen e vendimit. Mua nuk më lejohet të marr vendime pasiononte, por detyrimisht do t'i marr këto vendime duke iu referuar dokumentit themeltar të shtetit, ligjit dhe natyrisht kthimi kishte një motiv të drejtpërdrejtë, motiv i thjeshtë jopolitik. Më vjen mirë që ky komision ka reaguar në këtë mënyrë, në mënyrë që të mos kemi asnjë ditë vonesë në caktimin e datës së zgjedhjeve.
Ju thoni që përtej argumentimit, që ju publikuat nuk ka asgjë tjetër? Kodi është kontestuar edhe në aspekt tjetër...
Unë në natyrën time kam qenë i drejtpërdrejtë. Politika nga mënyra e komunikimit është e hapur, gjërat kur thuhen hapur duhet të absorbohen në këtë mënyrë. Fakti që ata kanë dhënë të drejtë, fakti që kjo është një çështje, që s'ka të bëjë me një moment të parëndësishëm, por ka të bëjë me datën e dekretimin e zgjedhjeve politike, zgjedhje të cilat nuk bëhen për një njeri, apo për një grup njerëzish, por bëhen për të pasur zgjedhje në standarde dhe uroj që të jenë zgjedhje në standarde dhe të pakontestueshme. Janë një element shumë i rëndësishëm në të gjitha ato çështje të tjera, që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë.
Kthimi i ligjit hapi një spirale të fortë në debatin politik. LSI po kërkon një korrigjim në pjesën e administrimit të zgjedhjeve. Si i shikoni këto ndryshime, që po i kërkon LSI?
Unë mendoj që kjo është një çështje që ka të bëjë me vendimmarrjen parlamentare. Mendoj se në këtë fazë që jemi është një moment i tejkaluar, qoftë për atë vendim që ka marrë Presidenti për ta kthyer për një çështje teknike, qoftë edhe me vendimmarrjen, që ka marrë komisioni i Reformës Zgjedhore. I takon seancës në Kuvend për t'u pozicionuar në mënyrë definitive, por besoj se kjo është tendenca e shprehur. E kam kthyer Kodin për këtë motiv, nuk e kam kthyer për motiv tjetër.
Sot duket se kanalet personale dhe politike mes jush dhe kësaj maxhorance duket se janë ngushtuar pak. Është e vërtetë apo është perceptim ky i debatit të ashpër politik?
Mendoj t'ia lëmë këtë në aksesin e perceptimit të medias. Për mua është e rëndësishme të ketë raporte njerëzore. Të konsolidohen raportet njerëzore. Raportet njerëzore në marrëdhëniet institucionale duhet të jenë në funksion të respektimit të pozicionit të gjithsecilit, i cili natyrisht okupon në mënyrë kushtetuese një pozicion të rëndësishëm. Gjithçka, bëhet fjalë jo për debate të karakterit personal. Kush e koncepton në këtë mënyrë gabohet. Këtu diskutohet për çështje mjaft parimore, që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit, të strukturave të saj, të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe në debatet kur bëhen të hapura janë në favor të demokracisë.
Jeni i sigurtë që edhe pala tjetër e percepton në këtë mënyrë?
Unë nuk bëj analizë për të tjerët. Unë jap pozicionin tim.
Kur ka qenë komunikimi juaj i fundit me zonjën Topalli dhe zotin Berisha dhe a vazhdojnë ato. Nuk flas për komunikimin institucional...
Natyrisht janë marrëdhënie të karakterit institucional.
A ka diçka më personale dhe miqësore në to?
Unë besoj se prevalon marrëdhënia institucionale.
A mendoni që është kjo klima e duhur për t'u futur në një vit elektoral dhe a mund të ketë zgjedhje normale nëse kjo klimë vazhdon?
Nga ajo që ka ndodhur dje në komisionin e Reformës, jemi plotësisht në afatet për të bërë zgjedhje në afatet kushtetuese dhe besoj me standarde të duhura. Përveç datës së zgjedhjeve dhe klimës së caktuar politike ka edhe disa detyrime, përsa i përket dokumentacionit dhe mbi bazën e asaj që kemi marrë informacion të jetë i realizuar në kohë, në mënyrë që zgjedhjet jo vetëm të kenë një kuadër ligjor të domosdoshëm, por të kenë infrastrukturën dhe besimin reciprok, që këto zgjedhje do të jenë të lira, të ndershme dhe të pakontestuara.
Si mendoni se po sillen palët në vend me çështjen e minoritetit grek në Shqipëri? Kam parasysh situatën në Himarë dhe sidomos disa kompromise që po përfliten për zgjedhjet e vitit 2009?
Nuk e di për çfarë kompromisesh bëhet fjalë. Është edhe në misionin e medias, që të mos fryhen çështje periferike.
I referoheni rastit Bollano?
Flas në parim, pastaj mund t'i referohemi cilitdo person. Persona fare periferikë, persona të cilët mund të kenë tendenca të shprehura individuale ose në grup s'duhen marrë shumë në konsideratë. Shqipëria ka institucionet e veta, të forta, të konsoliduara. Ka një mentalitet shoqëror shumë të qartë, përsa i përket historisë së Shqipërisë dhe perspektivës së Shqipërisë. Ne s'duhet të lëmë vakume në asnjëlloj pozicioni, territori por duhet patjetër të ushtrojmë me të gjitha mënyrat demokratike, në mënyrë që tendenca ultranacionaliste, që kanë qenë tipike për vendet ballkanike të disa viteve më parë të mos ekzistojnë më.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›