Legalizimet, emrat e 126 pronarëve që kompensohen
Adi Shkëmbi
Qeveria miratoi dje vendimin për të kompensuar 126 pronarë në tre qarqe të vendit. Vlera e këtij kompensimi është 464 milionë lekë të reja, rreth 5 milionë dollarë. Në mbledhjen e mbrëmshme u miratua propozimi i ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i cili i hap rrugë kompensimit të pronarëve. “Këshilli i Ministrave vendosi shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale, në qarqet e Tiranës, të Shkodrës dhe të Elbasanit. Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përkatësisht, për sipërfaqen 27 935.46 (njëzet e shtatë mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë, pikë dyzet e gjashtë) m2, tokë truall, me vlerë të përgjithshme, 464 899 696 (katërqind e gjashtëdhjetë e katër milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë”, thuhet në vendimin e qeverisë. Vlera e përgjithshme për shpërblimin e pronarëve do të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave. Sipas vendimit zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në përputhje me këtë vendim, do të bëjë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme të kompensuar, në pronësi të shtetit. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme u miratua vendimi për kalimin në pronësi të disa parcelave ndërtimore në favor të pronarëve të rinj të tyre. Kështu sipas vendimit në Tiranë janë 1449 parcela, në Vlorë 1306, në Shkodër 75 parcela, në Elbasan 1036, në Lezhë 129, në Kukës 40, në Gjirokastër 63, në Fier 47, në Durrës 441 dhe në Berat 81. në total janë 4667 parcela që kalojnë në pronësi të pronarëve të rinj.
Berisha: Oborret në përdorim, tapi për pronarët
Kryeministri Berisha i kërkon ministrit Alibeaj të hartojë kuadrin ligjor për pronësinë e oborreve në përdorim.
Duke folur në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë u shpreh se, si pasojë e Kushtetutës së vitit 1976 një numër i madh qytetarësh kanë ndërtuar shtëpi mbi pronën e tyre dhe kanë tapinë e ndërtesës, por nuk kanë në pronësi oborrin. “Është fakt se në zyrat e regjistrimit të pasurive janë mijëra e mijëra familje shqiptare, të cilat kanë ndërtuar shtëpitë mbi trojet, pronën e tyre, kanë edhe oborrin tërësisht të tyre, por ato vazhdojnë të njihen si oborre ose troje në përdorim, ndërkohë kur ato janë tërësisht pronë e të zotëve të shtëpisë. Kjo praktikë buron nga Kushtetuta famëkeqe e vitit ’76, në të cilën prona private u eliminua në të gjithë territorin dhe u quajt pronë shtetërore, ndërkohë që këtyre familjeve prona iu quajt në përdorim”, u shpreh Kryeministri Berisha. Por sipas tij, pronësia e oborreve vështirëson transaksionet që duan të bëjnë familjet. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë evidentoi edhe ndër rastet kur qytetarët nuk kanë ndërtuar në tokën e tyre, por kanë blerë truallin dhe kanë ndërtuar shtëpinë aty. Duke iu drejtuar ministrit të Drejtësisë, Kryeministri Berisha kërkoi që të vijë sa më shpejt në qeveri drafti ligjor, i cili sipas tij do t’i japë përgjigje çështjes së oborreve në përdorim. “Sikundër, duhet të bisedoni me Ministrinë e Financave për të zgjidhur të gjitha problemet. Ashtu siç ne kemi përmirësuar shumë gjëra, edhe në këtë rast duhet të gjejmë rrugën për të qenë të drejtë me këta pronarë, që padrejtësisht figurojnë në zyrat e këtij vendi sikur nuk janë pronarë. Mbi bazën e kësaj klauzole, ata faktikisht nuk kanë të drejtë të shesin, të blejnë, apo të kryejnë veprime të tjera mbi truallin e tyre”, u shpreh kreu i qeverisë. Më tej, ai u shpreh se vendosja e pronësisë mbi oborret e shtetëzuar me Kushtetutën e vitit 1976 do të çlirojë tregun e tokës, pasi sipas tij, në treg ato kanë çmime të larta. “Të tilla janë pothuajse të gjitha familjet tiranase, por jo vetëm ato, por edhe familje të tjera, të cilat kanë ardhur, kanë blerë truall dhe kanë ndërtuar dhe që më pas çdo gjë e tyre u shpall shtetërore. Të tilla janë familjet shkodrane, të Durrësit, të Vlorës”, u shpreh Berisha. Sipas kreut të ekzekutivit “ka edhe një numër jo të vogël familjesh edhe në fshatra, të cilët kanë ndërtuar në tokat e tyre, por ajo nuk mund të quhej e tyre, sepse në stuhinë e zhdukjes së të gjitha pluraliteteve, komunizmi, pas pluralizmit politikë, egërsitë ekstreme ia rezervoi pluralizmit të pronës. Ndaj duhet të ngrihet një grup pune, në mënyrë që kësaj çështjeje t’i jepet përgjigje sa më e shpejtë dhe e vendosur”.
Minierat, për kompensim fizik
Qeveria vendosi dje që 32 objektet shtetërore të “Albminiera” në Memaliaj dhe Shërbimit Gjeologjik shqiptar në Bulqizë të kalojnë në fondin e kompensimit të fizik. Në mbledhjen e zhvilluar mbrëmë është miratuar propozimi i ministrit të ekonomisë, Genc Ruli për këto dy ndërmarrje. “Këshilli i Ministrave vendosi kalimin në fondin e kompensimit fizik dhe vënien në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të 32 objekteve shtetërore, të “Albminiera”, sh.a-së, dhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, sipas listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në vendim. AKKP, pasi të bëjë verifikimin përfundimtar të pronësisë së truallit për objektet, do ta përdorë për kompensimin e pronarëve, sipas kritereve të përcaktuara në ligj. “Pas verifikimit përfundimtar, të bërë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronat, të cilat rezultojnë me njohje apo kthim pronësie, të hiqen nga fondi i kompensimit fizik”, thuhet më tej në vendimin e miratuar dje.
Hiqet taksa për kartat e identitetit
Qytetarët që do të pajisen me kartat e identitetit nuk do të paguajnë taksën prej 100 lekësh të reja. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është miratuar një propozim i ministrit të Financave Ridvan Bode për ndryshimin e ligjit “Për taksat kombëtare”. Sipas relacionit “duke qenë se qeveria ka nënshkruar një marrëveshje koncesioni për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, me një çmim të deklaruar, me qëllim që shtetasit shqiptarë të mos rëndohen me kosto shtesë për pajisjen me kartat e identitetit propozohet shfuqizimi i pikës 2, e cila mundëson heqjen e taksës prej 100 lekësh, për shtetasit shqiptarë që pajisen me kartat e identitetit”. Sipas ministrit Bode, efekti në buxhet për heqjen e kësaj takse, për pajisjen për herë të parë të popullsisë me këto karta, përllogaritet rreth 317 milionë lekë, efekt negativ.
Ngrihet Agjencia për Shoqërinë Civile
Qeveria miratoi dje ligjin për të ngritur agjencinë e zhvillimit të shoqërisë civile. Sipas këtij ligji, kjo Agjenci do të merret me shpërndarjen e fondeve të buxhetit të shtetit te shoqëritë civile. Sipas Kryeministrit Berisha “Mendoj se ne duhet të shprehemi, që këto fonde të kenë si orientim kryesor monitorimin e shtetit, të administratës, të sektorit publik, për sa i përket korrupsionit. Përparësi do të kenë organizatat që monitorojnë. Kjo tregon nëse qeveria është e gatshme të japë fonde për organizata, që në pamje të parë punojnë kundër saj, them në pamje të parë, sepse në fakt ato punojnë për interesin e vendit dhe interesi i qeverisë nuk mund të jetë ndryshe”. Kreu i ekzekutivit deklaroi se “duhet të synojmë që t’u japim përparësi atyre organizatave, që përballen direkt me qeverinë, me administratën, për sa i përket korrupsionit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme mbështetja e këtyre organizatave, rrjetëzimi i tyre. Kjo është mënyra më e sigurt për të shpenzuar 1 dhe për të fituar 5, në luftën kundër korrupsionit”. Duke u ndalur tek ajo që ndodhi me sindikatat Berisha tha se “Po ju tregoj atë që ndodhi me sindikatat. Bëra dekretet për dhënien e pronave bashkimeve profesionale, por ato harruan dhe sindikalizmi u mor me biznesin. Ky nuk ishte kurrsesi qëllimi im. Ata nesër mund të reagojnë ashpër ndaj meje, por unë do i them të vërteta siç i perceptoj. Por nuk mund të ndodhë me shoqërinë civile”. Sipas nenit 6 të ligjit në procesin e shqyrtimit e të përzgjedhjes së kandidatëve fitues dhe të shpërndarjes së fondeve për mbështetje të shoqërisë civile çdo autoritet financues do të mbështetet në parimet: liria e pjesëmarrjes dhe e konkurrimit; mosdiskriminimi dhe trajtimi i barabartë; transparenca e procedurave dhe e vendimmarrjes duke u ofruar të gjithë kandidatëve të dhënat dhe procedurën përkatëse, etj.
Licencat për një ditë
Në mbledhjen maratonë për nga numri i vendimeve, dje u miratua edhe projektligji “Për licencat, autorizimet dhe lejet në vend”. Sipas Kryeministrit Berisha, pas regjistrimit elektronik të biznesit në një sportel të vetëm, bëhet e mundur që brenda muajve të parë të vitit që vjen të instalohet në Shqipëri “one stop shop” për një pjesë të madhe të licencave dhe lejeve, pasi janë hequr 2/3 e tyre. “Avantazhet janë shumë të mëdha, pasi ka prej tyre, që nga afati kohor 30-60 ditë që duheshin më parë, do të bëhen brenda 1 deri 3 ditëve. Kjo është një ndërhyrje shumë e dobishme për klimën e biznesit”, u shpreh Berisha. Sipas tij “Natyrisht, jo të gjitha lejet e licencat mund të përfshihen në “one stop shop”, pasi disa prej tyre i nënshtrohen një procesi gare të pashmangshme, siç janë hidrocentralet, por edhe të tjera”.