Ruli shpjegon ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve
21/03/2009 Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, u shpjegoi dje qeverive të nxënësve të gjimnazeve ligjin e ri të Mbrojtjes së Konsumatorëve. Me këtë takim në Ditën e Konsumatorëve nis një fushatë e gjerë ndërgjegjësuese që do të përfshijë prodhues, importues dhe tregtarë në qytetet kryesore. Të rinjtë e Tiranës mund të shërbejnë si përcjellësit më të mirë të këtij mesazhi te shokët dhe prindërit e tyre. Në fletët informuese që u shpërndanë përfshihen të dhëna për ligjin e ri në shërbim të konsumatorit si fakti që malli duhet të ketë të shënuar çmimin, në mënyrë të qartë, të shprehur në lek, të vendosur në vetë produktin apo në raftet e tregtimit të tij. Gjithashtu sipas ligjit të ri shitja e mallit apo ofrimi i shërbimit duhet të shoqërohen me dhënien e kuponit tatimor, marrja e kuponit nga konsumatori është njëkohësisht dhe një detyrim për të. Nëse malli i blerë nuk është ai që pritej, sipas ligjit, mund të kesh mallin e riparuar apo të zëvendësuar pa pagesë, ose një ulje të çmimit apo kthimin e plotë të shumës së paguar.