E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financimet e huaja, debat për kushtet e kredisë

Nënshkrimi i marrëveshjes hua prej 14 milionë eurosh mes qeverisë shqiptare dhe asaj kuvajtiane ka krijuar debate të forta për mënyrën e lëvrimit të kredisë, por mbi të gjitha për kushtet që pala e huaj ka vendosur për financimin e projektit. Bëhet fjalë për kredinë 14 milionë euro që qeveria jonë është duke marrë për

mbikalimin e Durrësit dhe nyjës rrugore të Vorës. Duke parë kushtet e huasë, deputeti i PS-së Erion Braçe ka shprehur shqetësimin për faktin se nuk janë respektuar ligjet shqiptare për zhvillimin e tenderëve. Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve Publike sqaroi se këto janë kushte të vendosura nga pala që jep financimin dhe që duhen respektuar për efekt të marrëveshjes, e cila disponon terma të butë kredie. Ministria e Financave ka nënshkruar me Fondin Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, marrëveshjen prej 14.3 milionë eurosh për financimin e projektit "Mbikalimi i Durrësit dhe nyjës rrugore të Vorës", i cili ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së trafikut në segmentin rrugor Durrës-Vorë, që është pjesë e korridorit të rëndësishëm Durrës-Morinë, duke përmbushur kështu kërkesat e trafikut në këtë korridor. Sipas projektit, mbikalimi i Durrësit, fillon nga dalja e mbikalimit të Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës dhe përfundon duke arritur në mbikalimin e Plepave, me gjatësi 5 km superstradë me 4 korsi kalimi. Ndërsa projekti i nyjës rrugore të Vorës ka për qëllim disiplinimin e trafikut dhe përfshin ndërtimin e rrugëve paralele në një gjatësi prej tre km, në një brez rrugor me gjatësi rreth dy km që shtrihet në superstradën Tiranë-Durrës. Kostoja e këtij projekti arrin në 5.5 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›