E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra për Fullanin: Kujdes me kreditë

Kuvendi i Shqipërisë, pasi është njohur me përmbajtjen e Raportit Vjetor 2007 të Bankës Qendrore, duke e miratuar atë me shumicë votash, në formë rezolute i ka dërguar guvernatorit Ardian Fullani, të ketë parasysh disa kërkesave. Nisur nga situata aktuale me kreditimin për sektorin privat, normën e lartë të inflacionit dhe rritja e çmimeve, deputetë të Kuvendit kanë kërkuar nga BSH-ja që të ketë kujdes me politikën monetare që duhet të ndjekë, në mënyrë që të mos cenojë të drejtën e sektorit privat për të marrë kredi. Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar e rriti tri herë normën bazë të interesit, duke e çuar atë në 6,25 për qind. Kjo ndikoi në shtrenjtimin e kredive për sektorin e biznesit, i cili në vitin 2007 e pa veten në kushte të vështira likuiditeti. Duke u nisur nga Raporti Vjetor i bankës, sipas të cilit "norma e rritjes së kredisë për sektorin privat është ngadalësuar me 50,4 për qind, duke shënuar normën më të ulët të dy viteve të fundit", Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet rezolutës me firmë të Kryetares Jozefina Topalli, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me kreditimin për biznesin. Në rezolutën e miratuar pak ditë më parë, deputetët i kanë rekomanduar BSH-së disa masa për mbajtjen nën kontroll të inflacionit dhe përputhshmërinë e politikës monetare me atë fiskale të qeverisë. Përveç disa propozimeve, nisur nga situata aktuale me çmimet e artikujve ushqimorë, Kuvendi ka paraqitur edhe vlerësime për punën e bërë të Bankës së Shqipërisë.

Rekomandimet

Kuvendi kërkon që për vitin 2008 Banka e Shqipërisë të vazhdojë të punojë për nxitjen e kreditimit të ekonomisë, për të rritur investimet në sektorët prodhues dhe veçanërisht në sektorin e bujqësisë. Kërkesa e paraqitur lidhet me faktin se, që prej një viti, BSH-ja ka ndërmarrë një sërë veprimesh të politikës monetare në rritjen e normës bazë të interesit, duke sjellë shtrenjtimin e interesave të kredive për biznesin në vend. Banka i ka marrë këto veprime me synimin e forcimit të lekut, duke qenë se rritja e portofolit të kredisë mbart në një periudhë afatmesme rreziqe të mëdha për stabilitetin e çmimeve, si dhe për atë financiar. Në fakt, veprimet monetare të BSH-së nuk i kanë shpëtuar kritikave nga ana e shoqatave të biznesit në vend, duke i cilësuar si të dështuara. Sipas bizneseve industriale të përfaqësuar nga "Konfindustria", "BSH-ja duhet të gjejë rrugë të tjera që ia lejon ligji për mbrojtjen e inflacionit në nivelin mesatar 3 për qind, dhe jo të rrisë normën bazë të interesit, e cila nuk sjell tjetër veçse pengesë për bizneset". Lidhur me këtë pikë, në forumin ekonomik të zhvilluar javën që shkoi, ministri i Financave kërkoi nga BSH-ja që të mos rriste interesat, pasi rrezikon frenimin e investimeve, por të shikonte më me kujdes shërbimet që ofrojnë bankat e nivelit të dytë, ku në disa raste ofrohen me kosto tepër të lartë. Por sipas bankës, raporti i kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto është rritur ndjeshëm me 8.8 për qind, duke arritur në 30.1 për qind në fund të vitit 2007. Aktualisht bizneset në Shqipëri paguajnë interesa për kreditë që marrin me kolateral në norma që shkojnë deri në 14 për qind, ndërsa për kreditë e vogla, ato konsumatore paguajnë interesa që vlerësohen deri në 18 për qind. Nga totali i kredisë që merr ekonomia e vendit nga bankat, rreth 63 për qind e saj shkon për biznesin, por ky nivel po duket në rënie, pasi bankat e nivelit të dytë po preferojnë më shumë të japin kredi për individët (kredi konsumatore deri në 1 milion lekë).

Rezoluta

Përveç rritjes së kreditimit për bizneset, Kuvendi ka kërkuar nga BSH-ja që, paralelisht me këtë, të marrë masat monitoruese për të shmangur rreziqet e mundshme që vijnë nga ky faktor. Pra, BSH-së i është lënë një detyrë tepër e vështirë nga institucioni i vetëm që ka fuqi ligjore ndaj saj: të rrisë nxitjen e kreditimit për biznesin dhe njëkohësisht të ketë kujdes nga risqet që vijnë nga rritja e tyre, sidomos për stabilitetin e çmimeve dhe inflacionin. Një tjetër kërkesë e hedhur në rezolutë ka të bëjë me "përdorimin e instrumenteve monetare, që nxisin rritjen e kreditimit dhe të depozitave në monedhën vendase, me qëllim mbrojtjen e intervistave të klientëve dhe mbajtjen nën kontroll të normës së inflacionit, nxitjen e zhvillimit cilësor të sistemit bankar, për të mundësuar shërbime të reja për klientët dhe kosto më të ulët shërbimi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›