E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet shtesë për Gardën, përfitojnë edhe të larguarit

Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka miratuar me ndryshime projektligjin "Për sigurimin shoqëror suplementar të efektivave të Gardës", sipas të cilit do të përfitojnë edhe punonjësit e larguar nga reforma strukturore e vitit 2005. Pa shumë debate dhe me konsensus të plotë, deputetët e komisionit, pasi dëgjuan përfaqësuesit e gardës, Institutit të Sigurimeve dhe të Ministrisë së Brendshme, kanë miratuar pro edhe propozimin e bërë nga komandanti i gardës, Ndrea Prendi. Ai kërkoi që pensioni i pleqërisë për punonjësit e gardës të vlerësohet sipas pagave aktuale referuese, në varësi të gradave dhe jo sipas pagave minimale, sikurse e parashikonte ligji aktual. Efekti financiar në buxhet është rreth 13 milionë lekë, tepër i ulët për faktin se numri i përfituese nuk është i madh.

Ligji

Ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore suplementare krijonin dy pika debati. E para lidhej me përjashtimin e këtij ligji të ish-punonjësve të gardës, të prekur nga reforma e vitit 2005, sipas ligjit "Për Gardën". Vet Komandanti Prendi tha se nuk ishte kundër përfshirjes së ish-gardistëve që kanë qenë në punë në miratimin të ligjit 9366, më datë 31.3.2005, pasi në një farë mënyre nuk është faji i tyre, por i drejtuesve. Numri i ish-punonjësve që do të përfitojnë shkon deri në 70, motiv që nxiti Komisionin e Ekonomisë të miratonte përfshirjen e tyre në skemë. Pika tjetër e debatit lidhej me vlerësimin e pensionit, kur gardistët do të dilnin nga puna pas moshës 65 vjeç. Në ligjin aktual thuhej se pensioni do t‘i referohej pagës minimale edhe pse gardistët marrin paga të larta në varësi të gradës. "Edhe pse Forcat e Armatosura dhe Policia e Shtetit janë struktura të ngjashme me Gardën e Republikës në ligjin për sigurimin suplementar, kjo e fundit ka mbetur e vetmja pa status. Ne kërkojmë pension sipas pagës referuese në varësi të gradës, sikundër veprohet me ushtarakët dhe policët, dhe jo pension pleqërie, duke iu referuar pagës minimale, pasi shtesa do të ishte e ulët, pavarësisht nga gradat", tha Prendi. Sipas ligjit për gardën, numri i kuadrove është tepër i vogël. Nuk mund të ketë më shumë se 7 punonjës me gradën kolonel dhe 22 punonjës me gradën nënkolonel, dhe këtë e përcakton piramida ligjore aktuale e gradave. Në këtë mënyrë, efektet financiare janë të papërfillshme. Sipas ligjit të miratuar dje, pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, kur punonjësi ka vjetërsi 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›