E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja ndal punën në stoqet e kromit

Qindra banorë të qytetit të Bulqizës kanë përcjellë për në banesën e fundit Nevruz Gjokën, i cili humbi jetën të mërkurën, teksa mblidhte mineral në stoqet e kromit për pak para në ndihmë të familjes së tij. Me hidhërim të thellë, bashkëshortja dhe tre fëmijët e mbetur jetimë, si dhe qindra të afërm dhe banorë të këtij qyteti, i kanë dhënë lamtumirën e fundit njeriut më të dashur të tyre. I dalë në pension të parakohshëm nga puna në minierë, ai prej disa muajsh ishte punësuar në një firmë private për mbledhjen e gurëve të kromit, për të ndihmuar familjen, që jetonte vetëm me pensionin e vogël të tij, prej 12 mijë lekësh në muaj. Por në këtë përpjekje për mbijetesë ai humbi jetën, duke lënë familjen e tij pa asnjë të ardhur. Në lidhje me këtë aksident, burime nga policia konfirmuan për "Shqip" se deri më tani nuk pa pasur asnjë person të ndaluar. Për të mësuar për shkaqet e këtij aksidenti nuk është shoqëruar madje asnjë nga përfaqësuesit e firmës për të cilën punonte viktima e aksidentit të së mërkurës. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme është ndërprerë krejtësisht puna në stoqet e kromit, të cilat prej gati një viti janë kthyer në burim aksidentesh.

Që në fillim të muajit prill, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka urdhëruar ndërprerjen e punës në pjesën qendrore dhe jugore të minierës, për efekt të kushteve të sigurisë në punë për punëtorët. Por përkundër këtij urdhri puna për asnjë moment nuk u ndërpre totalisht, vetëm se njohu ulje-ngritjet e saj edhe pse policia u angazhua në këtë bllokim. Dhjetëra persona fizikë dhe juridikë të palicencuar janë sulur në galeri dhe stoqe për shfrytëzimin e mineralit të kromit, nxitur edhe nga konjuktura mjaft fitimprurëse e tij, ku 1 ton krom aktualisht shitet me mbi 450 dollarë. Janë qindra banorë që në përpjekje për të mbijetuar i janë sulur malit të kromit pa marrë parasysh rrezikun që u kanoset, vetëm për të zbutur sadopak varfërinë e tejskajshme të tyre. Minerali i kromit është i vetmi burim të ardhurash për ta.

Në bazë të urdhrit të ministrit Ruli u ngrit edhe një grup pune për të studiuar kushtet e sigurisë në punë. Por edhe pse po bëhen gati dy muaj, grupi ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht asnjë konkluzion për kushtet e sigurisë në punë. Specialistë të mirëfilltë të minierës thonë se shfrytëzimi që u bëhet sot stoqeve të kromit, që bazohet mbi metodën e kruajtjes së tyre, është tejet primitiv. Metoda më racionale në shfrytëzimin e tyre, për vjeljen e mineralit të kromit, thonë këta specialistë, është ajo e zhvendosjes graduale të tyre, nëpërmjet impianteve të seleksionimit. Ministria e Ekonomisë nuk duhet të japë licenca shfrytëzimi pa projekte të sakta të sigurisë në punë.

Deputeti

"Korrupsioni

po merr jetë

njerëzish"

Deputeti i zonës së Bulqizës, Qemal Minxhozi, konstatoi dje se rrënjët e Gërdecit në këtë vend janë te korrupsioni që gjeneron tragjedi njerëzore. "Në Bulqizë ndodhi aksidenti tragjik i radhës, ku një minator humbi jetën, kësaj radhe jo në thellësi të minierës, por në sipërfaqe, duke mbledhur krom në stokun e krijuar prej vitesh. Dy punëtorë të tjerë janë lënduar rëndë", tha Minxhozi. Sipas tij, prej më se një viti banorët e Bulqizës jetojnë në mes të Gërdecit. Ndërsa aksidenti i fundit është sintezë e qartë e mungesës së përgjegjësisë së shtetit, i cili organizon vetëm funerale dhe nuk merr masa për t‘i parandaluar ato. "Kohët e fundit, Ministria e Ekonomisë i ka dhënë një leje një kompanie për shfrytëzimin e një pjese të stokut të sterileve të dala nga miniera prej vitesh, pa pasur në konsideratë aftësitë teknike profesionale të kësaj firme që nuk është aspak e specializuar për këtë aktivitet", sqaroi deputeti. Në vlerësimin e Minxhozit, disa herë specialistët kanë dhënë mendimin që shfrytëzimi i stokut të bëhet në mënyrë tërësore në të gjithë sipërfaqen nga një kompani me përvojë dhe mjete e teknologji të posaçme. Sakaq, shtoi ai, ministria në bashkëpunim me pushtetin lokal kanë synuar dhe kanë copëtuar sipërfaqe të stoqeve, si dhe galeritë, duke ia dhënë ato militantëve të PD, duke krijuar kështu konflikte që kanë shkuar deri dhe me armë zjarri. "Kanë ndodhur 12 aksidente dhe asnjë ndëshkim nuk është dhënë. Çfarë bën inspektorati i lartë i punës, reparti i inspektim shpëtimit, policia, prokuroria, e thënë shkurt qeveria?", u shpreh deputeti. PS mendon se dhënia e lejeve të zbulimit dhe shfrytëzimit është kthyer në biznes nga nëpunësit e shtetit për të mbushur xhepat e tyre dhe jo arkën e shtetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›