Policia zbulon dhjetëra dokumente zyrtare false
TIRANË - Operacioni i koduar “Ora e mbrëmjes” ka zbuluar një sërë dokumentesh zyrtare të falsifikuara si dhe ka arrestuar një person. Artur Demi, 37-vjeç u vendos në prangat e policisë pasi u kap në flagrancë me 2 certifikata të pa plotësuara të vulosura nga Njësia bashkiake nr.3. Lajmi u be i ditur nga Drejtoria e Policise se Tiranes e cila tha se gjatë kontrollit në banesën e tij në afërsi të rrugës “Muahmed Gjollesha”, iu sekuestruan një sërë dokumentesh zyrtare të falsifikuara si:
- 20 copë vula të institucioneve të ndryshme shtetërore si : Vula të zyrave të gjendjeve civile, Nr.1, 2, 3, 6, 7 dhe 10 të Minibashkive Tiranë, Gjykatës së Rrethit Tiranë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria Rajonale Tiranë, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, Drejtoria Rajonale Transportit Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Dega e Tatimeve Tiranë, Komunës Dajt, Rep. Ushtarak Nr.1810 Burrel.
- 100 copë certifikata të Minibashkive Nr.1, 2, 3, 6, 7, dhe 10, Tiranë dhe Bashkisë në Ersekë.
- 20 copë Dëshmi për drejtimin e automjeteve.
- 10 copë Leje Drejtimi Ndërkombëtare.
- 150 pulla taksash certifikatash (50 lekëshe).
- Një pasaportë Çeke e cila ishte e plotësuar në emër të shtetasi.
- 100 copë vërtetime të Minibashkive Nr.1, 2, 3, 6, 7 dhe 10 Tiranë.
- 10 copë vërtetime të Degës së Mobilizimit Ushtarak Tiranë.
Pas një hetimi u konkludua përfundimisht se të gjitha dokumentet e sekuestruara janë të falsifikuara. Për pasojë 37-vjeçari akuzohet për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve zyrtare”, “falsifikimit të akteve të gjendjes civile”, “prodhimit të mjeteve për falsifikim”, si dhe “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”.
Aktualisht materialet hetimore dhe provat materiale i janë kaluar prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
(a.s/Balkanweb)