Financimi në zgjedhje, PS mbledh kryesinë
TIRANË- Partia Socialiste ka vendosur të bëjë një lojë të ndershme elektorale. Jo vetëm në aspektin e etikës në propagandën në fushatë, por edhe të shpenzimeve financiare, qofshin këto financime publike apo private. Kështu, ndoshta për herë të parë në jetën e pluralizmit 18-vjeçar, Partia Socialiste ka vendosur që të zbatojë deri më një të gjitha detyrimet që lindin nga Kodi Zgjedhor dhe të sanksionuara në kapitullin e financimit të partive, duke bërë transparent çdo të ardhur dhe çdo shpenzim.
Për këtë qëllim, kryesia e Partisë Socialiste, e mbledhur dje në mbrëmje, në respekt të detyrimeve të ligjit të ri zgjedhor, ka miratuar një udhëzim të brendshëm për të detyruar të gjitha shtabet elektorale nëpër qarqe, si dhe shtabin qendror në Tiranë, që të dokumentojë me kuponë dhe fatura, fondet që do të marrin nga buxheti i shtetit, në kuadër të fushatës elektorale.
Gjithashtu, ky rregull duket se do të ekzistojë edhe për donacionet, që individë të ndryshëm do të ofrojnë për fushatën elektorale që do të zhvillojë PS-ja. Kështu, në bazë të nenin 90 të Kodit Zgjedhor, çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhen kurdoherë publike.
Ndërsa dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë, duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme, të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Duhet evidentuar fakti se, shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, ndërsa çdo shpenzim i kryer për fushatën zgjedhore, dokumentohet dhe kryhet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi.
Kryesia ka vendosur, gjithashtu, që të organizojë tubimin-protestë më 15 mars, në përvjetorin e parë të ngjarjes tragjike të ndodhur në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe ku u shkatërruan me qindra prona. Protesta do të nisë në orën tre në fshatin Gërdec dhe do të vijojë në orën 6 pasdite, përpara Kryeministrisë.