E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli në Librazhd

Vjenë- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është ndalur sot në Librazhd, ku ka takuar gratë e kësaj zone në kuadër të festave të 7-8 Marsit, ku në fjalën e saj ka vlerësua rolin e kësaj shtrese të shoqërisë në ndryshimin e vendit. “Në këtë përballje, gratë kanë mbajtur një peshë të madhe, një peshë të madhe për fëmijët e tyre, një peshë të madhe për familjet e tyre, për shoqërinë. Edhe në momente të vështira ne nuk jemi dekurajuar”, tha znj. Topalli në takimin e zhvilluar në Shtëpinë e Kulturës së këtij qytetit. Në fjalën e saj, kryeparlamentarja kujtoi përpjekjet e qeverisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve.

“Ne ishim seriozë kur premtuam dyfishimin e rrogave të mësuesve e ne ia dolëm. Ne premtuam dyfishimin e pensioneve në fshat dhe rritjen e pensioneve në qytet dhe e mbajtëm fjalën”, theksoi ajo. Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje reformat e qeverisë në këto katër vite, të cilat, sipas saj, kanë ndryshuar Shqipërinë.

“Na thanë se reformat ekonomike nuk do t’i bënim, na thanë se nuk do të kishim mundësi të ulnim taksat, por shumica e shqiptarëve na besuan në sfidat në të cilat ne ndërmorëm. Reformat ishin të vështira, por ne ia dolëm. Ne çuam dhe votuam në parlament një buxhet shtesë, dhe kjo jo vetëm një herë, por tre vite rresht dhe kështu do të jetë edhe në vitet e ardhshme”, theksoi ajo. Znj. Topalli u ndal dhe tek papunësia, e cila, sipas saj, është ulur në këto vite të qeverisjes demokratike, pasi çdo rrugë e re, çdo shkollë, çdo investim është një vend i ri pune, është një rrogë më shumë në familje, është një siguri shumë e madhe.

“Doktrina jonë e bazuar në kolonat e uljes së taksave, rritjes së të ardhurave, rritjen e rrogave, pensioneve si dhe në shumëfishimin e investimeve, jo vetëm që funksionoi e krijoi një Shqipëri të ndryshuar, por shpëtoi Shqipërinë nga vala e parë dhe e dytë e krizës botërore, dhe kjo është shumë e rëndësishme”, theksoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›