E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turku kthehet ministër nga Strasburgu

Presidenti do ta dekretojë sapo të mbërrijë në Presidencë

ELBASAN- Ardian Turku ka mbërritur dje në Shqipëri si ministër i emëruar i Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Pas një udhëtimi në Strasburg, ku ka marrë pjesë në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Turku është njoftuar nëpërmjet një telefonate, për t'u bërë pjesë e kabinetit qeveritar.

Ai thotë se nuk ka zhvilluar takim me Kryeministrin dhe është kthyer pranë familjes së tij në Elbasan, ndërsa pritet vazhdimi i procedurave normale për emërimin e tij.

"Ky takim do të jetë në vazhdim dhe tani s'mund të them gjë tjetër, veç faktit se po ndiqen procedurat ligjore për emërimin. Është ende herët për të folur", - tha Turku.

Ardian Turku pritet të dorëhiqet nga pozicioni i kreut të Këshillit të Qarkut dhe nga ai i anëtarit të Këshillit Bashkiak. Pas emërimit të Turkut, Këshilli i Qarkut në Elbasan do të zhvillojë zgjedhje të reja.

Emri i Ardian Turkut nuk ka mbërritur ende në Presidencë, por Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka lënë qartë të kuptohet se do ta firmosë, pasi kandidatura e propozuar nga Berisha do të mbërrijë në zyrën e tij.

"Kam dëgjuar për emërimin e zotit Ardian Turku. Në linjë zyrtare, propozimi ende nuk ka arritur në Presidencë, por paraprakisht mund të them që e vlerësoj personalitetin e z. Turku dhe, pa pikë mëdyshjeje, duke e njohur nga afër dhe aktivitetin e tij, personalitetin e tij, ai do të dekretohet në momentin më të parë që do të arrijë propozimi në zyrën time".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›