Finlandezja Leena Lander vjen me librin Urdhri
>Letërsia e huaj bashkëkohore vjen këto ditë pranë lexuesit shqiptar me librin Urdhri, që mban firmën e autores finlandeze Leena Lander. Në libër është fati i tre personazheve. Miina Malin vendoset në qendër të librit. Cili është krimi që ka bërë ajo dhe çfarë ngjau mes saj dhe Aaer Harjulas, çfarë fshehin të gjithë, çfarë kërkon vërtetë të mësojë gjykatësi Emil Helnberg? Një grua revolucionare e burgosur, e akuzuar për një krim mizor, një ushtar që nuk i është bindur urdhrit për ta vrarë, një gjykatës-shkrimtar, i ngarkuar me çështjen.
I gjithë romani zhvillohet mes këtyre tre personazheve dhe mes tensionit të vazhdueshëm të raportit të paqartë, që i lidh mes armiqësisë dhe tërheqjes, urrejtjes dhe dashurisë, vullnetit për sundim dhe prirjes për ligështim dhe shlyerje faji. Fate individuale që janë pasqyrë e përhumbjes së një epoke, Luftës Civile në Finlandën e 1918-ës, kur kufijtë mes së mirës dhe të keqes, fajit dhe pafajësisë, dobësisë dhe rebelimit ndaj një sistemi shuhen derisa e bëjnë çdo gjykim të paqartë. Autorja Leena Lander (1955) është shkrimtarja finlandeze që po korr më shumë sukses dhe vlerësime jashtë vendit. Libri është përkthyer në rreth njëzet gjuhë dhe gjendet shpesh në klasifikimet e autorëve më të shitur. Përveç romaneve të shumtë që i kanë dhuruar çmime prestigjioze, ndër të cilët Çmimin e Madh të Letërsisë Nordike. Ka shkruar dhe për teatrin, radion dhe televizionin. Për lexuesin shqiptar ajo fillimisht është paraqitur me romanin Shtëpia e fluturave të zeza Urdhri është romani i dytë i botuar nga Dituria. Të dy romanet e saj janë ekranizuar. Urdhri është një botim i shtëpisë botuese Dituria dhe përkthyer nga Venera Domi.