Finni kundër Berluskonit: Gati programi politik për ta sfiduar
Një nga aleatët më të afërt të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, pritet këtë javë të publikojë programin e tij politik, në një përpjekje që konsiderohet si sfidë e drejtpërdrejtë ndaj kreut të qeverisë. Sfidanti i Kryeministrit të goditur është Gianfranco Finni, një ish-neofashist dhe aktualisht zëvendëskryetar i partisë qeverisëse. Ai ka vendosur së fundi t‘u drejtohet drejtpërsëdrejti votuesve në të njëjtin muaj që Berluskoni do të përballet me gjyqet që i janë hapur për akuzat e vjetra të korrupsionit. Finni është i pari që ka shanse për të zëvendësuar Berluskonin nëse ai do të dënohet, edhe pse ky i fundit, në një deklaratë të ditëve më parë, u shpreh se nuk do ta linte postin edhe sikur të dënohej. Finni është aktualisht kryetar i Parlamentit dhe prej kohësh ka hedhur pas shpine të shkuarën e tij prej ekstremisti të djathtë, duke mbajtur qëndrime shumë më të moderuara. Këtë të mërkurë ai do të publikojë "E ardhmja e lirisë" me nëntitullin "Kërkojuni këshilla atyre që kanë ardhur në jetë në vitin 1989". Në libër ai vë re se italianët, që janë aktualisht rreth të 20-ave, janë tërësisht të shkëputur nga komunizmi, fashizmi dhe Lufta e Ftohtë, por pavarësisht hapësirave që kanë nga shembja e mureve dhe ideologjive ata nuk janë aspak më të lumtur. Sipas Finni-t, "vdekja e ideologjive" i ka bërë ata që të jenë më narcizistë dhe egoistë e kryesisht shumë të zhgënjyer nga politikanët. Finni bën thirrje për një rikthim në frymëzimin e vizioneve, imperativave morale dhe vlerave të familjes, si edhe tolerancës ndaj çështjeve të ndryshme që nga bioetika e deri tek emigracioni. Sergio Romano, një analist i njohur italian, tha se nuk bëhet fjalë për një "letër" drejtuar vetëm të rinjve italianë, porse materiali që do të botohet të mërkurën është në vetvete një program i qartë politik. Finni, gjatë fundjavës së kaluar, është shfaqur buzagaz në një konferencë në Kapri së bashku me ministrin e Financave, Xhulio Tremonti, që ka pasur mosmarrëveshje së fundi me Kryeministrin. Berluskoni, 73-vjeçar, aktualisht është i sëmurë me ethe dhe nuk është shfaqur në publik që prej 2 javësh. Një muaj më parë, gjykata ktheu mbrapsht një ligj të miratuar prej tij e të ardhur në pushtet, që i jepte imunitet të pakufizuar nga drejtësia për sa kohë do të ishte në krye të vendit. Aktualisht, ndaj tij janë hapur një sërë çështjesh gjyqësore të pezulluara pas miratimit të ligjit, një pjesë prej të cilave janë për akuza korrupsioni. Dy prej seancave të këtyre gjyqeve do të zhvillohen pikërisht këtë muaj. Më 16 nëntor ai do të përballet me akuzën e shmangies së taksave dhe falsifikim llogarish në blerjen e të drejtave filmike nga ana e kompanisë mediatike "Mediaset". Gjyqet janë telashet e fundit që i janë hapur Kryeministrit italian, i cili muajt e nxehtë të verës i kaloi nën akuza të njëpasnjëshme për lidhje seksuale dhe favore në këmbim të seksit me shumë bukuroshe italiane.