Karzai, zyrtarisht President por Abdullah del më i fuqishëm
Presidenti afgan, Hamid Karzai, i është rikthyer pushtetit sërish për një tjetër mandat presidencial pas dorëheqjes nga gara të kundërshtarit të tij, Abdullah Abdullah. Megjithatë, ai është paralajmëruar, kryesisht nga amerikanët, se do t‘i duhet të punojë shumë për të justifikuar postin dhe mbi të gjitha për të siguruar mbështetjen e amerikanëve, pas një procesi elektoral që la shumë për të dëshiruar. Dje është marrë vendimi për të mos kryer raundin e dytë të votimeve, pas largimit të sfidantit kryesor, duke qenë se tashmë ishte e qartë se kush ishte fitues. Raundi i parë u mbajt në gusht dhe u fitua në shumicë nga Karzai, por doli se një pjesë e madhe e votimeve ishin ose të vjedhura, ose të manipuluara. Tani që Karzai u vendos si President, amerikanët kanë frikë se mos një qeveri e dobët e tij do të sjellë më shumë telashe për përparimin e planeve të luftës. Presidenti amerikan është në mëdyshje në lidhje me një dërgim të mundshëm të 40 mijë trupave shtesë amerikane në Afganistan në kuadrin e strategjisë së re për Afganistanin. Karzai, që ka në krye të vendit që në vitin 2001, e ka humbur shumë besimin e perëndimorëve dhe do t‘i duhet të punojë shumë për të rifituar besimin e nevojshëm për të vënë në jetë strategjitë e mbrojtjes. "Kredibiliteti i qeverisë së Karzait nuk do të jetë i lehtë për t‘u rivendosur, duke qenë se ai e tregoi se në rastin e zgjedhjeve nuk veproi aspak në përputhje me etikën që kërkonte një zhvillim i tillë", ka bërë të ditur një analist perëndimor. Për sa u përket disa analistëve, sipas tyre, Abdullah, pavarësisht se nuk fitoi, ka dalë mjaft i fortë nga këto zgjedhje dhe ai ka tashmë shumë mbështetës që e ndjekin. Karzait për të qeverisur do t‘i duhet patjetër aleanca me të dhe pavarësisht se të dy kundërshtarët janë shprehur kategorikisht kundër bashkëpunimit për qeverisjen e vendit, të shumtë janë ata që i shohin të dy bashkë në detyra të veçanta. "Karzai e ka humbur legjitimitetin e tij dhe aktualisht ai është në një pozicion shumë të dobët si President i vendit dhe nuk mund të qeverisë pa pasur edhe mbështetjen e krahut të Abdullahit, me të cilin janë renditur disa figura mjaft të rëndësishme në vend", ka bërë të ditur një analist politik afgan.