E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot ankandi i bonove, në test ulja e interesave

Banka e Shqipërisë pritet të organizojë ankandin e radhës për shitjen e titujve të borxhit të qeverisë, ankand që do të kthehet edhe në test për efikasitetin e politikës monetare. BSH uli javën e kaluar interesin bazë në ekonominë shqiptare me 0.5 për qind nga 5.75 në 5.25 për qind, gjë që teorikisht do të sjellë edhe uljen e kredive, depozitave dhe borxhit publik të emetuar në lekë. Por, në të shkuarën, ka ndodhur shumë shpesh që interesat e produkteve financiare në lekë janë varur më shumë nga kërkesa e qeverisë për borxh publik se sa nga politika monetare. BSH-ja pritet të shesë sot 4.7 miliardë lekë bono 12-mujore dhe 6.3 miliardë lekë bono tremujore për llogari të Ministrisë së Financave. Në ankandin e fundit, interesi i bonove 12-mujore shënoi maksimumin që nga viti 2004 në nivelin 9.45 për qind, ndërsa bonot me afat tremujor u pranuan përkundrejt interesit 6.36 për qind. Gjatë vitit të fundit, qeveria ka konkurruar me bizneset dhe individët për marrjen borxh të parave të disponueshme në treg dhe ka pranuar të paguajë interesa më të larta. Për pasojë, interesat e bonove të thesarit janë përdorur më shumë për referencë se sa interesi bazë i Bankës së Shqipërisë. Vetë BSH-ja paralajmëroi se vendimi i saj për uljen e interesit bazë mund të mos japë efekt në uljen e kostos së lekut në treg, në rast se nuk shoqërohet me disiplinë financiare nga qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›