E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiorentina, ideale

Valon Behrami insiston se e zgjodhi Fiorentinën, si skuadrën e ardhshme të tij, pa hezituar fare. Mesfushori kosovar shprehet se klubi Viola është më i miri ku ka luajtur ndonjëherë. 25 vjeçari thotë se futbolli anglez e ka ndihmuar të zhvillohet si lojtar, por e pranon se i mungonte futbolli italian. Mitrovicasi është i gatshëm të luajë që në fundjavë. Nga Express më 28 janar 2011 në ora 11:43

Valon Behrami është prezantuar zyrtarisht para mediave të enjten paradite në ekipin e ri, Fiorentina. Mesfushori kosovar thotë se eksperienca në Angli e ka ndihmuar të zhvillohet si futbollist, por e pranon se gjithmonë kishte nostalgji për futbollin italian, ku e kishte kaluar pjesën dërrmuese të karrierës.

“Në futbollin anglez jam përshtatur mjaft mirë. Atje luhet futboll fizik, me më pak presion në krahasim me atë italian. Kam bërë një përvojë të rëndësishme, e cila më ka bërë më të fortë, sidomos në aspektin fizik”, deklaroi fillimisht 25 vjeçari.

- “Në Itali ankohen shpesh për futbollin italian, por kur largohesh nga aty, të mungon. Ky është një fakt, sepse unë jam shprehur i gatshëm që të luaj në ndeshjen e parë pikërisht kundër Lazios. Mezi pres të luaj”, vazhdoi përfaqësuesi zviceran, i cili mori numrin 85.

Behrami e pranon se kishte edhe oferta të tjera, por kur i ka arritur ajo nga drejtori sportiv i Fiorentinës, Pantaleo Corvino, nuk kishte më dyshime. Klubin Viola e konsideron si më të mirin ku ka luajtur ndonjëherë.

“Ose do vija në Fiorentinë ose do të qëndroja në West Ham. Mendoj se kam arritur në klubin me skuadrën më të fortë që kam luajtur ndonjëherë. Kam dëshirë që të kontribuoj për këtë ekip dhe ta jap maksimumin”, nënvizoi ai.

Behrami shton se pozita e tij e preferuar është mesfushor i djathtë, në një mesfushë që përbëhet nga tre lojtarë, por shton se është i gatshëm të luajë edhe në pozita tjera.

Ai tregon se i ka lënë prapa krahëve lëndimet, të cilat nuk e lanë rehat në dy vitet e fundit. Futbollisti mitrovicas thekson se e ka përcjellë vazhdimisht Fiorentinën në vitet e fundit, duke e përshëndetur për paraqitjet. Behrami premton se do të mundohet të japë gjithçka nga vetja, në mënyrë që Fiorentina të ketë rezultate pozitive në pranverë.

Ndërkohë, ai po mendon menjëherë për ndeshjen debutuese kundër ish skuadrës së tij, Lazio. Ai beson në kualitetin e klubit Viola.

“Lazio është një ekip që ka transferuar lojtarë të mëdhenj në vitet e fundit, por për momentin është e rëndësishme që unë të kyçem në sistemin e Fiorentinës. Duhet të shkojmë atje për të fituar dhe për t’ua bërë me dije menjëherë se çka duam. Dëgjohem shpesh me lojtarët Mauri e Ledesma, që janë persona shumë të mirë”, thotë Behrami i cili shpreson të luajë nga minuta e parë ndaj Lazios.

Nëse shënon ndaj klubit Biancocelesti, ai insiston se do të festojë, edhe pse ishte pjesë e tij në të kaluarën.

Ish futbollisti i West Ham përshëndet edhe shokët e rinj të skuadrës, për të cilët thotë se i kanë lënë përshtypje të mira. Gjithashtu, ai falënderon edhe trajnerin Sinisa Mihajlovic, i cili i ka folur shumë.

Ai tregon edhe një fakt interesant që i ka ndodhur në ditët e para të eksperiencës Viola. “Frey më ka thënë se do të dëshironte ta bënte frizurën njëjtë sikur unë. I kam premtuar se pas 3 javësh do të vijë këtu frizeri im, kështu që do t’ia plotësoj dëshirën”, shton Behrami i cili tha fjalë të mira edhe për sulmuesin Adrian Mutu, që momentalisht është i suspenduar nga ekipi italian.

Ndërkohë, drejtori sportiv i Fiorentinës, Pantaleo Corvino, i ka treguar shifrat e transferimit të Behramit. Ai njëkohësisht bën të ditur se kjo do të jetë blerja e fundit e këtij ekipi në këtë afat kalimtar.

“Behrami është një lojtar për të cilin kemi zhvilluar bisedime të gjata, sepse West Ham filloi me një shifër të lartë. Në fund e kemi mbyllur këtë çështje për 2 milionë euro, plus një përqindje të kartonit të Da Costas, i cili ishte i yni përgjysmë. Behrami ka nënshkruar kontratë për 3 vjet e gjysmë”, bën të ditur Corvino.

Behrami-Mihajlovic, kurrfarë problemi

Njëjtë si Valoni, i lumtur për transferimin e djalit të tij në Fiorentinë ishte edhe Ragip Behrami. Ky i fundit është i bindur se nuk do të ketë kurrfarë problemi ndërmjet Behramit junior dhe trajnerit Sinisa Mihajlovic, për shkak të konfliktit të mëhershëm të serbëve me shqiptarë të Kosovës.

“Futbolli nuk është politikë. Natyrisht, Mihajlovic e ka dhënë dritën jeshile për transferimin e Valonit në Fiorentinë. Ai është trajner dhe e ka kërkuar për skuadrën e tij. Sporti i bashkon njerëzit”, theksoi Ragip Behrami.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›