E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin kërkesat e para për trajtimin e të alkoolizuarve



Emanuela Sako

Ende pa filluar nga puna, qendra e vetme e trajtimit të alkoolizuarve në vend që pritet të hapet së shpejti, ka një fluks të madh kërkesash nga pacientët. Mjekët sqarojnë se ka pasur një numër pacientësh që interesohen për godinën ku do të trajtohen alkoolikët. Sipas tyre, kjo vjen pasi në vendin tonë nuk ka asnjë qendër të tillë të këtij lloji, ku pacientët do të trajtohen me të gjitha mënyrat. Përveç kurimit mjekësor nëpërmjet barnave, ata do të trajtohen edhe nga ana psikologjike nëpërmjet psikologut dhe punonjësit social. Për këtë arsye, të gjithë ata që janë vënë në dijeni të kësaj qendre që është në QSUT, janë gati të shkojnë për të parë një mundësi për shkëputjen nga varësia e alkoolit. Deri më sot, spitalet tona nuk kanë pasur një qendër të tillë dhe të alkoolizuarit janë trajtuar vetëm nëpërmjet kurimit me barna.
Shërbimi
Për ngritjen e këtij shërbimi u punua nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shkollën Europiane të Alkoologjisë me qendër në Udine (Itali), është në pritje për trajtimin e individëve të varur nga alkooli. Drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Mati Pepa, pak kohë më parë u shpreh se ky shërbim është gati për të ofruar trajtim të specializuar, pasi është pajisur me mjetet e nevojshme dhe me 12 shtretër. Ndërsa struktura e stafit përmban një mjek përgjegjës, 4 infermiere, një kryeinfermiere dhe një psikolog. Aktualisht, drejtoria e QSUT ka përzgjedhur edhe mjek që kanë mbaruar specializimin në Itali. Kjo klinikë përbën të parin shërbim alkoologjik të mirëfilltë në vendin tonë, pasi individët e varur nga alkooli nuk do të trajtohen vetëm për çrregullimet e tyre organike. Klinika e re do të ofrojë një shërbim afatgjatë, ku do të ketë kombinim të psikoterapisë dhe terapisë farmaceutike.
Godina
Godina është brenda parametrave për trajtimin e pacientëve dhe ndodhet në ish-urgjencën e psikiatrisë. Tashmë gjithçka është gati dhe pacientët kanë mundësi për trajtim të specializuar. Për disa kohë pacientët do të qëndrojnë në klinikë për të humbur varësinë nga alkooli, deri në një rikthim të mëparshëm të tyre. Ndërsa, specialistët shprehen se ky do të jetë një shërbim i mirëfilltë për të gjithë pacientët, të cilët nuk kanë pasur një mundësi për një kurim të tillë më parë.

Certifikatat e printuara sjellin radhë të gjata

Shpërndarja e certifikatave të printuara tashmë ka filluar, por nuk është bërë e mundur shmangia e radhëve të gjata. Radhë të gjata ka pasur në Paskuqan dhe Kamëz. Këtë herë radhët e gjata nuk kanë ardhur si pasojë e vonesës për plotësimin me dorë të dokumentit, por për shkak të ushtrimit të punonjësve me mënyrën e re të shpërndarjes. Kështu, punonjësit e gjendjes civile e justifikojnë me faktin se këto janë ditët e para të shpërndarjes së certifikatave në mënyrë të tillë, pasi duhet të ushtrohen.
Ndërkohë që iu është dashur që të punojnë me vrull, pasi numri i qytetarëve që drejtohet në sportelet e gjendjes civile nëpër minibashki është tepër i madh. Ardhja e emigrantëve ka bërë që të ketë fluks kërkesa për marrjen e certifikatave dhe fluksi po përballohet nga punonjësit e zyrave përkatëse. Punonjësit e gjendjes civile në Minibashkinë Nr.9 sqarojnë se në zyrat e tyre paraqiten rreth 300 deri në 400 persona në ditë, të cilët tërheqin deri në 500 certifikata në ditë. Zbatimi i metodës së informatizimit të certifikatave iu lehtëson mjaft punën në sportele. Kjo, pasi certifikatat printohen dhe nuk do të plotësohen me shkrim. Ndërkohë që ata i kanë gati në komjutera certifikatat standarde me të gjitha të dhënat për çdo person apo familje, ato familjare, personale, të martesave, vdekjeve etj. Pritet që pas muajit gusht fluksi i kërkesave për marrjen e certifikatave do të ketë rënie. Kjo pasi numri i emigrantëve do të bjerë, pasi ata do të largohen në vendet ku punojnë. Ndërkohë sportelet rrinë të mbushura që në orët e para të mëngjesit kur fillon puna në çdo gjendje civile në minibashki.

ISHP, rreth 2 mijë raste në javë të fëmijëve me gastroenterit

ISHP-ja deklaroi se numri i të prekurve me gastroenterit është në rritje. Sipas këtij informacioni nga ISHP-ja më të prekurit nga kjo sëmundje e stinës së verës janë fëmijët e vegjël. Kështu, fëmijët nën moshën 5 vjeç janë më të prekurit nga gastroenteritet, që është0 sëmundje e zorrëve. Kryesisht koha kur shfaqet sëmundja janë muajt korrik, gusht dhe shtator. Instituti i Shëndetit Publik theksoi se në këtë periudhë verifikohen 2000 raste në javë, ku pjesa më e madhe e të cilëve fëmijë nën 5 vjeç.
Specialistët sqarojnë se faktor kryesor për shkaktimin e sëmundjes janë temperaturat e larta, që favorizojnë rritjen e agjentëve infektivë në ushqime dhe mjedis shtëpiak. Ndër shkaktarët përfshihen edhe rotaviruset deri në 25 për qind të të gjitha rasteve me diarre, E. coli, shigela dhe më pak salmonela jotifoide, kampilobakter apo kriptosporidium. Burime nga ISHP-ja shprehen se deri më sot nuk ka pasur grumbullime jo-normale të rasteve në spitale. Ndërkohë që janë duke u dhënë këshilla mjekësore për ruajtjen e higjienës dhe parandalimin e gastroenteriteve, sidomos tek fëmijët. Ndërsa lidhur me rrethet turistike mjekëve dhe epidemiologëve iu është kërkuar të mbledhin informacion edhe për turistët dhe në përgjithësi eshte rritur vemendja per zonat me popullatë shumë të dendur. Informacioni i ISHP-së mbi gastroenteritet, sigurohet nga survejanca sindromike ALERT, për të cilën ky institucion përgatit një raport javor. Survejanca bazuar në sëmundjet është një raportim mujor i sëmundjeve infektive, bazuar edhe në të dhënat laboratorike.

QSUT, fluks pacientësh për shkak të temperaturave të larta

QSUT-ja vazhdon të presë pacientë për shkak të luhatjes së temperaturave dhe sidomos për rritjen e ditëve të fundit.
Për këtë arsye është rritur numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, në kushtet e temperaturave të larta. Fëmijët rezultojnë m të prekurit nga temperaturat dhe kjo gje verifikohet nga shtimi i numrit të tyre në pediatri. Në shërbimin e pediatrisë në QSUT, numri i fëmijëve që paraqiten çdo ditë për ndihmë mjekësore varion nga 200 deri në 250, të cilët largohen pas marrjes së konsultës mjekësore. Ndërsa, sipas të dhënave nga shërbimi i kardiologjisë këtu përballohet një fluks prej rreth 100 pacientësh në ditë. Shtimi i numrit të të vegjëlve në pediatri vjen dhe si pasojë e ditëve të pushimit të mjekëve të qendrave shëndetësore dhe poliklinikave. Pacientët e paraqitur janë ambulatorë dhe pasi marrin konsulencë mjekësore dhe këshillat përkatëse, largohen në shtëpitë e tyre. Në kushtet e temperaturave të larta mjekët këshillojnë shmangien e daljeve në orët e pikut në diell, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit, konsumimin e sa më shumë lëngjeve dhe frutave, si dhe më shumë kujdes ndaj ushqimeve që konsumohen. Megjithatë, pritet që fluksi i tyre të bjerë vetëm pas stabilizimit të temperaturave në vend.

19 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›