Topalli takon ambasadoren e Britanisë, Mcllëham
Gjatë ditës së djeshme, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e re të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcllëham, me të cilën ka biseduar edhe rreth masakrës së Durrësit ku gjetën vdekjen në detyrë katër punonjës të Policisë së Shtetit. Gjatë fjalës së saj Topalli ka theksuar se reforma në sistemin gjyqësor luan një rol kyç për luftën kundër kriminalitetit. Topalli gjithashtu theksoi se për të ndërmarrë këtë luftë është e rëndësishme bashkërendimi i punës dhe koordinimi i masave që ndërmarrin të gjitha institucionet shtetërore. “Reforma në Gjyqësor është kyçe për luftën ndaj krimit, pasi puna e Policisë ka nevojë për mbështetjen e të gjithë sistemit. Ishte një humbje e vërtetë. Përballja me krimin ka një çmim. Bashkërendimi i të gjitha institucioneve për të vënë kriminelët para drejtësisë mbështet dhe motivon Policinë në përballjen e saj të ashpër me krimin”, - u shpreh kryetarja Topalli.
Ambasadorja britanike, nga ana e saj, shfrytëzoi rastin që t’i shprehte kryetares së Kuvendit ngushëllimet e saj për humbjen e jetës së katër punonjësve të Policisë gjatë kapjes së një personi në kërkim. Duke vlerësuar punën e Policisë shqiptare në sfidën me krimin, ambasadorja theksoi se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me një sërë projektesh aftësimi për Policinë shqiptare.
Gjatë takimit ambasadorja britanike dhe kryetarja Topalli shkëmbyen mendime rreth qeverisjes së ardhshme në koalicion, rolit të gruas në politikë, etj. Gjatë bisedës ambasadorja e Britanisë shprehu kënaqësinë që po e niste shërbimin në një periudhë interesante për Shqipërinë. Ajo tha se kishte udhëtuar pak nëpër Shqipëri, por kishte vënë re një vend më një dinamikë zhvillimi befasuese. “Ka një ndryshim të dukshëm, veçanërisht në infrastrukturë. Në këto pak ditë që kam udhëtuar nëpër Shqipëri kam vënë re një zhvillim në rritje të zonave ku kalojnë rrugët e reja”, - tha ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar. Duke i uruar mirëseardhjen, kryetarja Topalli ndau me zonjën Mcllëham mendimin se Shqipëria është një vend me tregues dinamikë të zhvillimit. “Vendi po përjeton rritje ekonomike dhe ka një energji në rritje, veçanërisht me ndërtimin e rrugëve të reja, që më parë pengonte zhvillimin në pothuajse gjysmën e vendit”, - tha zonja Topalli, ndërsa shtoi se “në mandatin tonë të dytë jemi të vendosur për të përfunduar ndërtimin dhe rinkonstruktimin e të gjitha rrugëve në vend”.
12 Gusht 2009