Topalli e Basha takojnë ambasadorin e Turqisë në Shqipëri, Erkula
Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kanë pritur dje ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Suphan Erkula, me rastin e përfundimit të misionit diplomatik në Shqipëri. Gjatë bisedave është vënë në dukje mbështetja e gjithanshme që ka dhënë dhe do të japë në të ardhmen Turqia në proceset integruese të Shqipërisë. Gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Basha dhe Erkula kanë vlerësuar nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ministri Basha, nga ana e tij, vlerësoi kontributin e ambasadorit Erkula në intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Në këtë drejtim, ministri Basha rikonfirmoi vullnetin dhe përkushtimin e plotë të qeverisë shqiptare për avancimin dhe thellimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat. Në veçanti, ministri Basha shprehu falënderimet për mbështetjen e palëkundur të Turqisë për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare. Ambasadori Erkula tha se ka qenë një privilegj të shërbejë në një vend mik si Shqipëria. “Erdha në një periudhë interesante gjatë së cilës pashë realizimin e ndryshimeve shumë të shpejta të vendit dhe po iki në kohë interesante për Shqipërinë”, - tha ai. Erkula u shpreh i kënaqur që kishte kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, ku ndër të tjera përmendi dyfishimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit midis dy vendeve u cilësua, ndër të tjera, ndërtimi i një vepre gjigante si rruga Durrës-Kukës. Ndërsa në takim me kryetaren e Kuvendit, Topalli nga ana e saj i shprehu ambasadorit turk mirënjohjen e veçantë për çuarjen përpara të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e përgëzuar për punën e eficiente përfundoi me realizimin e takimeve të nivelit të lartë.
“Ju keni qenë një mik i Shqipërisë dhe keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Gjatë këtyre viteve janë intensifikuar takimet mes kryeministrave dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, në të gjitha aspektet, kanë njohur vetëm rritje”, - tha kryetarja Topalli.
Zoti Erkula falënderoi zonjën Topalli për mbështetjen e vazhdueshme që ajo i kishte dhënë gjatë gjithë punës së tij si ambasador i Turqisë në Shqipëri.
Autoritetet shtetërore dhe KE-ja heshtin për rastin e Gurrës
Në Shqipëri autoritetet shtetërore duket se kanë vendosur ta kalojnë në heshtje ngjarjen e së hënës në fshatin Gurrë të Burrelit, kur hetues të Këshillit të Europës (KE) nuk u lejuan nga banorët të vizitonin shtëpinë ku pretendohet se janë kryer transplantime organesh të qytetarëve serbë të rrëmbyer nga ish-njësi të UÇK-së në vitin 1999. Banorët thanë se ata nuk kishin dokumente identifikimi dhe për më tepër as leje për të kryer një vizitë të tillë. Por burime të besueshme nga ministria shqiptare e Drejtësisë thanë se kishin dijeni për një vizitë të hetuesve të KE-së, e cila, sipas tyre, mund të inkuadrohet në një vizitë informale.
Po sipas këtyre burimeve, autoriteteve shqiptare nuk u është vënë në dispozicion asnjë plan nga ana e hetuesve të KE-së se çfarë synonte vizita në fshatin Gurrë të Burrelit. Sipas ligjit shqiptar, hetuesit e KE-së minimalisht do të duhet të ishin shoqëruar në këtë vizitë të tyre nga zyrtarët e Prokurorisë shqiptare.
12 Gusht 2009