E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plantacionet, si në Kolumbi, kapen mijëra rrënjë hashash në Tepelenë dhe Shkodër

Mijëra rrënjë Cannabis janë gjendur dje në fshatrat e Tepelenës dhe rrethinave

Një sasi e madhe bimësh narkotike të gatshme për t’u korrur u zbuluan në Jug pak muaj pasi ishin kontrolluar nga policia. Zbulimi i drogës u bë gjatë operacionit të koduar “Hija e lisit”, organizuar nga policia e Gjirokastrës pak ditë pas atij të koduar me emrin “Era e Jugut”. Specialistët dhe Agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me forcat e policisë së Komisariatit të Tepelenës, zhvilluan operacionin në rrethin e Tepelenës, në Përroin e Ujit të Vierr, rreth 5 kilometra mbi fshatin Bënçë të rrethit Tepelenë dhe rreth 2 kilometra nga rruga Tepelenë -Kurvelesh. Si rezultat i këtij operacioni, mbi fshatin Bënçë të Komunës Qendër Tepelenë, në përroin e Ujit të Vierr, u bë i mundur evidentimi i dy parcelave të hapura rishtas në anën e përroit për të kultivuar bimë narkotike ku ishin të kultivuara bimë narkotike Cannabis sattiva. Në vendngjarje konstatohej se nga ana e rrugës kishte lisa të mëdhenj dhe nga ana tjetër kishte shkurre të dendura, të cilat e bënin të vështirë identifikimin e parcelave. Në këto parcela ishin të mbjella 1076 rrënjë bimë të dyshuara si Cannabis sattiva, të cilat varionin nga 1 metër deri në 1.5 metra të larta. Në momentin që policia ka konstatuar parcelën, autori i kultivimit të bimëve narkotike nuk u gjet në parcelë. Parcelat janë mbajtur në vëzhgim për disa ditë rresht nga shërbime të fshehta të policisë, por autori nuk ka shkuar përsëri në parcelë. Ndodhur në këto kushte, nga ana e policisë është bërë asgjësimi i bimëve narkotike.
Aksioni
Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar thanë se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe provave të gjetura në vendngjarje, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, kanë bërë dokumentimin me prova ligjore si dhe identifikimin e autorit të kultivimit të bimëve narkotike. Pasi u kryen të gjitha veprimet e para procedurale dhe hetimore, si marrja në cilësinë e provës materiale të një sasie rrënjë bimësh për ekspertim bio-kimik, ndërsa bimët e tjera janë asgjësuar në vend me anë të djegies, u bë shpallja në kërkim e autorit, por policia tha se “për arsye hetimi nuk bëjmë me dije të dhënat e tij”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”. Aksionet e policisë së Gjirokastrës për shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike vijnë pasi parcelat e kultivuara u evidentuan gjatë fazës investiguese dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative.
Shkodër
Edhe në qarkun e Shkodrës janë kryer dje operacione në përpjekje për të zbuluar dhe asgjësuar bimë narkotike të gatshme për korrje. Burime nga Sektori Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Shkodër thanë se në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe me repartin e FNSH-së, u organizua operacioni i koduar “Vija ajrore”. Si rezultat i aksionit u bë i mundur identifikimi dhe asgjësimi i një sasie prej gjithsej 3.720 rrënjësh bime narkotike Cannabis sattiva. Bimët narkotike të kultivuara u gjetën në vendin e quajtur “Sipër digës”, në fshatin Qerret të Komunës Temal, në një territor të hapur nëpërmjet shpyllëzimit, në tokë pa pronar të ligjshëm, ku janë identifikuar 8 parcela me 2 250 rrënjë bimë Cannabis sattiva. Po ashtu, edhe 14 parcela me 1 480 rrënjë Canabis sattiva u zbuluan në vendin e quajtur “Kodra e Shëngjergjit”, në fshatin Mazrek të Komunës Temal, gjithashtu në një territor të hapur nëpërmjet shpyllëzimit, në tokë pa pronar të ligjshëm. Policia tha se u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe u bë asgjësimi i këtyre bimëve me anë të djegies. “Po punohet për dokumentimin ligjor të rasteve, për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët kanë ushtruar ketë aktivitet të paligjshëm”, - sqaroi policia, e cila ka dërguar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për hetime të mëtejshme për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”, pa autorë.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›