E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: KE-ja ka të drejtë të hetojë për akuzat e Del Pontes për trafik organesh



Ish-ministri i Jashtëm dhe njëkohësisht një prej përfaqësuesve të delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës, Kastriot Islami, është shprehur dje se Shqipëria është e detyruar të lejojë hetimet që ndërmerr Strasburgu për akuzat e Del Pontes për trafik organesh të shtetasve serbë. Vetëm një ditë më parë banorët e Gurrës nuk kanë lejuar përfaqësuesit e KE-së që të hetojnë për shkak se sipas banorëve, ndërkombëtarët nuk ishin të mandatuar për të hetuar. “Problemi është më i komplikuar se kaq, nuk bëhet thjesht se zonja Del Ponte ka bërë një deklaratë dhe familja duhet të lejojë hetimin, por kjo tani ka kaluar nëpërmjet KE-së, ku Shqipëria është anëtare dhe është e detyruar të pranojë komisione të ndryshme investigimi që vijnë në Shqipëri, për të bërë investigimin mbi bazën e një vendimi që ka marrë Asambleja Parlamentare e KE-së”, - është shprehur ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami. Familja Katuci në Gurrë të Matit, u bë e famshme pas akuzave të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte. Kjo e fundit, në kujtimet e saj, pretendon se është kryer transplantim i organeve të serbëve në shtëpinë e kësaj familjeje në fshatin Gurrë të rrethit të Matit. Islami thotë se qeveria shqiptare duhet të angazhohet për të dëmshpërblyer të prekurit nga ky hetim. “Është në detyrën e qeverisë të marrë përsipër të gjithë krijimin e kushteve për misionin e KE-së, por nga ana tjetër duhet të krijojë të gjitha kushtet që të mos ndodhë asgjë me individët, aq më tepër nëse do të kishte dëmtime nga investigimi të merrte përsipër kompensimin e të gjitha dëmtimeve eventuale që mund të vijë nga ky investigim”, - thekson Islami.
Një ditë më parë grupi i hetimit nuk u lejua të hynte në familjen Katuci, ndërsa javën e shkuar kryetari i delegacionit të KE-së, Dik Marti, bisedoi me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar për këtë çështje.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›