E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja dokumentet për ish-pronarët

22/12/2010  Hyn në fuqi udhëzimi i ri i ministrit të Financave dhe atij të Ekonomisë

Përcaktohen kriteret për shitjen e tokës shtetërore në shoqëri tregtare

Me anën e një udhëzimi të ri të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë janë përcaktuar kriteret dhe procedurat për shitjen e tokës në shoqëritë tregtare ku shteti zotëron aksione. Udhëzimi ka dalë në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 15 shtator 2010. VKM-ja përcakton se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës harton listën e shoqërive ku shteti zotëron kuota apo aksione, në të cilat trualli është dhënë në përdorim apo me qira, të cilat vazhdojnë aktivitetin e tyre dhe afati i tyre nuk ka përfunduar.

Procedurat

Me hartimin e kësaj liste ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nxjerr urdhrin përkatës për ngritjen e komisionit, rast pas rasti, për çdo shoqëri, për përcaktimin e sipërfaqes së domosdoshme që i nevojitet asaj për ushtrimin e veprimtarisë. Më pas, komisioni mblidhet dhe përcakton programin e punës dhe harton raportin e firmosur nga të gjithë anëtarët dhe ia dërgon atë për miratim ministrit të Ekonomisë. METE bën shqyrtimin e saj dhe nëse e gjen atë të rregullt, e miraton. Nëse nuk e gjen të rregullt, ia kthen atë komisionit. Kthimi i dokumentacionit do të bëhet me firmë të titullarit të ministrisë. “Komisioni duhet të bëjë rregullimet përkatëse brenda një afati 30-ditor nga marrja e tij. Për përcaktimin e kësaj sipërfaqeje, komisioni do të bazohet në të gjithë dokumentacionin që disponon shoqëria që në momentin e krijimit, si dhe duke pasur parasysh aktivitetin që ushtron ajo. Ministri i Ekonomisë i bën me dije shoqërisë kryerjen e procedurave për shitjen e truallit të domosdoshëm që i nevojitet asaj për ushtrimin e veprimtarisë së tij”, - thekson udhëzimi. METE ia dërgon dokumentacionin Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Kjo e fundit verifikon dokumentacionin dhe nëse e gjen në rregull vijon me procedurat. Në rastet e shitjes së truallit shoqërisë, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike duhet të derdhë, në favor të pronarit të truallit, vlerën e truallit përkatës për kompensim financiar. Njoftimit me shkrim duhet ti bashkëlidhet vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për ish-pronarin, kontrata e shitjes së truallit, autorizimi për kalim pronësie, mandatpagesat që lidhen me pagesat e truallit.

Dokumentet e ish-pronarëve

Ish-pronari i truallit që do të përfitojë kompensim financiar duhet të paraqesë në Ministrinë e Financave (sektori i financës dhe buxhetit) disa dokumentare ligjore. Mes tyre duhet kërkesa me shkrim për kompensim financiar për truallin ish-pronë e tij, dokument identifikimi (letërnjoftim, pasaportë apo certifikatë me fotografi), dëshmi trashëgimie, prokurë të posaçme përfaqësimi, numrin e llogarisë personale të hapur pranë një banke të nivelit të dytë. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, pas njoftimit të marrë nga sektori i financës dhe buxhetit në Ministrinë e Financave, njofton me shkrim zyrën rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe AKKP-në për kompensimin financiar të kryer në favor të subjekteve të shpronësuara jo më vonë se 5 ditë nga data e realizimit të kompensimit financiar. Në rastet kur shoqëria nuk pranon të blejë truallin, marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë dhe pronarëve të truallit të njohur me vendim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave rregullohen me anë të një kontrate konform dispozitave të Kodit Civil. Në këtë rast shoqëria duhet të marrë një vendim të asamblesë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›