E Diel, 1 Nëntor 2026

Firmoset marrëveshja, komuniteti egjiptian në mbështetje të PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit



Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetari i Unionit Demokratik të Egjiptianëve të Shqipërisë Arjan Lila nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në këtë marrëveshje, komuniteti egjiptian shpreh mbështetjen për PS-në në këto zgjedhje, ndërkohë që Partia Socialiste angazhohet në qeverisjen e saj se do të përkrahë këtë komunitet. Kjo marrëveshje parashikon një sërë angazhimesh serioze nga ana e Partisë Socialiste. Së pari, duke garantuar përfaqësimin e komunitetit egjiptian në Komitetin Shtetëror të Minoriteteve. Së dyti, Partia Socialiste angazhohet që në programin e saj qeveritar të ketë një kapitull të veçantë për masat e garantimit efektiv të respektimit të të drejtave të minoriteteve. Partia Socialiste zotohet që në gjashtëmujorin e parë të qeverisjes së saj të krijojë Komisionin Shtetëror për studimin e situatës së komunitetit egjiptian në Shqipëri. “Me miratimin e konkluzioneve, qeveria e PS-së angazhohet që të ndërmarrë iniciativat e duhura ligjore dhe të hartojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, por në mënyrë të veçantë Paketën e Veprimeve 2010-2012, që do të adresojnë problemin e diskriminimit, sidomos masat e trajtimit pozitiv (bursa studimi për studentët nga komuniteti, kurse të formimit profesional dhe kualifikimit, lehtësi në shërbimet publike, kurse etj.) në favor të komunitetit egjiptian si dhe angazhohet të krijojë Fondin e Veçantë për Asistencë Ligjore dhe për krijimin e Qendrës për Ndihmë Ligjore (falas) për rastet e diskriminimit”, - thuhet në marrëveshjen e nënshkruar dje midis kryesocialistit Edi Rama dhe kreut të këtij komuniteti Arjan Lila. Nga ana e saj, përfaqësia e Unionit Demokratik të Egjiptianëve të Shqipërisë, duke vlerësuar programin e Partisë socialiste dhe duke shprehur bindjen se në vizionin politik të kësaj force përfaqësohen interesat e komunitetit egjiptian, u angazhua për mbështetjen e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›