Ndotja e bregdetit të Vlorës, LSI-ja bën thirrje për marrjen e masave urgjente
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar e shqetësuar për ndotjen me naftë që i është bërë bregdetit të Vlorës. Sekretari i LSI-së për Bujqësinë dhe Mjedisin, Edmond Panariti, tha se po ndodh një dramë e rëndë ekologjike dhe për këtë nevojitet marrja e masave urgjente. “Me shumë shqetësim kemi ndjekur situatën e ndotjes me naftë të bregdetit të Vlorës. Kjo është një dramë ekologjike e rëndë jo vetëm për ekosistemin detar pranë Pyllit të Sodës, por për turizmin, hotelerinë dhe bizneset e rajonit të Vlorës. Për më tepër përbën një dëmtim të rëndë të imazhit turistik të Vlorës si perla jonë e Adriatikut. Kjo situatë kërkon një ndërhyrje të menjëhershme dhe një plan të detajuar dhe urgjent veprimi. Ne propozojmë dërgimin sa më parë në zonën e ndotur të një ekipi specialistët të pajisur me të gjitha mjetet për luftimin e ndotjes. Për atë pjesë të naftës që tashmë ka prekur brigjet kërkojmë që në mënyrë urgjente të fillojë çndotja e plazheve, pa dyshim që specialistët do të vlerësojnë edhe natyrën dhe thellësinë e ndotjes, në varësi edhe të strukturës së plazheve, nëse janë plazhe gurishtore apo ranore, prandaj kërkohet urgjentisht që specialistët të jenë prezentë aty për të bërë vlerësimet e situatës. Situata është e rëndë dhe kërkon një veprim të menjëhershëm, përndryshe do të jetë vonë dhe pasojat për gjirin e Vlorës do të jenë të pallogaritshme”, - tha Panariti.
5 Qershor 2009