PS dhe PD përplasen për heqjen dhe dëmtimin e posterave elektoralë
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë shkëmbyer dje akuza të ashpra në drejtim të njëra-tjetrës në lidhje me dëmtimin dhe heqjen e posterave dhe banderolave të tyre elektorale. Nënsekretari për programin në Partinë Socialiste, Ervin Bushati, ka denoncuar dje në një konferencë për shtyp nga qendra e Tiranës grisjen e posterit elektoral të Partisë Socialiste. Bushati tha se një fenomen i tillë është i përsëritur në të gjithë vendin dhe për këtë akuzoi kryeministrin Sali Berisha. Sipas tij, Berisha po bën veprime të dëshpëruara, pasi është në dëshpërim për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Sot ju jeni dëshmitarë se si është dhunuar këtu, në qendër të Tiranës, posteri elektoral i Partisë Socialiste. Ky nuk është një rast i veçuar, por një fenomen i përsëritur anembanë Shqipërisë. Këto janë veprime të dëshpëruara nga një njeri i dështuar", - tha Bushati.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka akuzuar kryebashkiakun Edi Rama se ka urdhëruar grisjen e posterave elektoralë që njoftonin për takimin e nënkryetares së PD-së Jozefina Topalli me banorët e zonës së Kombinatit. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, bëri akuza të drejtpërdrejta në drejtim të kryebashkiakut Rama. “Me sa duket, i tronditur nga pjesëmarrja shumë e dobët e mitingut të tij të djeshëm në Kombinat, pavarësisht autobusëve të sjellë nga qendra, kryetari i Bashkisë ka urdhëruar grisjen e njoftimeve të takimit të djeshëm të kryetares së Kuvendit dhe nënkryetares së Partisë Demokratike. I kujtojmë edhe njëherë z.Rama se verdiktin që meriton do të ta japin qytetarët jo vetëm të Tiranës, por të të gjithë Shqipërisë më 28 qershor”, - tha Mëhilli.
Po dje është shënuar një tjetër incident në fushatën elektorale. Persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar zyrën elektorale të Partisë Socialiste në fshatin Dhashtimë të qarkut të Korçës. Në vendngjarje, përveç forcave të policisë, mbërritën edhe përfaqësues të OSBE-së, të cilët u njohën me incidentin e ndodhur.
5 Qershor 2009