E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor, nesër, vendimi për ankimin e opozitës për grupet e numërimit të votave

Opozita ka kundërshtuar vendosjen e PDK-së në vazon e partive të majta. Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, javën e ardhshme pritet të hidhet shorti

Shaban Sulçe

Kolegji zgjedhor do të shqyrtojë ditën e nesërme ankesën e bërë nga partitë e opozitës lidhur me vendimin e KQZ-së për rigrupimin e partive në shortin që do të hidhet për përcaktimin e anëtarëve të grupeve të numërimit të votave. Dy javë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që PDK-ja, e cila është një parti e djathtë, të përfaqësohet në vazon e partive të majta, duke i hequr mundësinë opozitës të ketë numër të barabartë anëtarësh me maxhorancën në grupet e numërimit të votave për zgjedhjet e 28 qershorit. Ky vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesit e opozitës në Komision, të cilët tashmë kanë bërë ankesën e tyre në Kolegjin Zgjedhor. Opozita ka akuzuar maxhorancën për një veprim hileqar, që synon të ulë shanset e saj në shortin për t’u përfaqësuar në grupet e numërimit të votave. Për këtë arsye ajo e ka ankuar vendimin e KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor. Ky i fundit pritet të mblidhet gjatë ditës së nesërme për të vendosur për pretendimin e opozitës, ndërkohë që shorti për përcaktimin e anëtarëve të grupeve të numërimit pritet të hidhet javën e ardhshme.

Vendimi

KQZ-ja u përfshi nga debatet kur në momentin e përcaktimit të partive që do të kandidojnë për anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave (GNV), PDK-ja, e drejtuar nga Nard Ndoka, është përcaktuar si parti e majtë. Shkaku për këtë ka qenë letra e dërguar nga Kuvendi, ku përcaktoheshin si parti të djathta vetëm partitë që janë në qeveri. Përfaqësuesit politikë dhe anëtarët e KQZ-së kërkuan që përcaktimi që është bërë nga Kuvendi të ishte më i saktë. Sipas tyre, gjatë katër viteve ka pasur zhvillime në skenën politike dhe për pasojë, në letër duhet të ishin reflektuar edhe këto ndryshime. Për përcaktimin e grupit të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pati tre propozime. Por pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, KQZ-ja vendosi që PDK të ishte në vazon e partive të majta.
Vendimi i KQZ-së i jep mundësi maxhorancës që të kontrollojë komisionet e numërimit të votave dhe, për pasojë, lë shteg të hapur edhe për abuzime në procesin e votimeve të 28 qershorit.

Numërimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur në mbledhjen e dy ditëve më parë që procesi i numërimit të votave mund të bëhet edhe me dy anëtarë, në rast se të pranishme do të jenë kamerat filmuese. KQZ-ja vendosi gjithashtu se në rast se kamerat nuk regjistrojnë, atëherë procesi i numërimit duhet të ndërpritet. KQZ-ja ka mbështetur formulën propozuese të Partisë Socialiste. Sipas kësaj formule, “në rast se Grupi i Numërimit të Votave funksionon me 2 anëtarë sipas përcaktimit të Nenit 95, pika 3 të e Kodit Zgjedhor, detyrimisht ky proces duhet të jetë i regjistruar nga kamerat e teknologjisë mbështetëse të instaluara në ambientet e VNV-së. Në rast se regjistrimi me kamera nuk funksionon për çfarëdo arsye dhe numërimi i kutisë nuk ka përfunduar, atëherë numëruesit përfundojnë numërimin e kësaj QV-ve dhe procesi ndërpritet deri në vënien në funksionim të teknologjisë mbështetëse (kamerave), ose plotësimin e grupit të numërimit të votave”, - thuhet në këtë propozim.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›