E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, PS-ja padit Ministrinë e Brendshme në Prokurori

Përfaqësuesi i PS-së, Fatmir Xhafa, dorëzoi tri padi dje në Prokurorinë e Tiranës. Më kryesorja, lista e votuesve pa pasaportë, Ministria refuzoi të publikonte listën

Habjon Hasani
Në Prokurorinë e Tiranës dje kanë mbërritur tri aktpadi ”të nxehta” për zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe për disa funksionarë të PD-së dhe shtetas që kanë falsifikuar kartat e identitetit. Janë gjithsej tri aktpadi dhe depozituesi i tyre, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafa, ka shpjeguar në terma të përgjithshëm përmbajtjen e tyre. “Së pari më duhet të them se kemi depozituar sot në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës tre kallëzime penale. Një kallëzim penal që ka të bëjë me manipulimin e kartës së identitetit nga një shtetas. Kallëzimi tjetër ka të bëjë me manipulimin e një funksionari lokal të Partisë Demokratike, duke shitur kuponë në këmbim të votës dhe e treta ka të bëjë me një fakt shumë të njohur tashmë për ju dhe për publikun: me akuzën që ne kemi për falsifikim të të dhënave dhe dokumenteve zyrtare nga strukturat e Ministrisë së Brendshme”, - deklaroi dje Fatmir Xhafa.
Pasaportat
Padia më kryesore është ajo që denoncon amullinë e shifrave që ka hartuar Ministria e Brendshme dhe që lidhet me numrin e shtetasve pa pasaportë që kanë prioritet në pajisjen me karta identiteti. Partia Socialiste ka kërkuar në Komisionin Parlamentar për Zgjedhjet të konfirmohej numri i mësipërm. Nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme është këmbëngulur në vërtetësinë e listave. Verifikime të mëtejshme, të kryera nga përfaqësues të Partisë Socialiste në Komisionin Parlamentar të Votimeve, vërtetuan përkundrejt dokumentacionit ligjor dhe testimeve telefonike se 249 emra votuesish nuk janë të pajisur me pasaportë dhe nuk e kanë emrin në listën e publikuar nga Ministria e Brendshme, të personave pa pasaportë. “Në datën 05.05.2009, me shkresën nr.3457, dt.05.05.2009, nga subjektet e kallëzuara është publikuar një kopje elektronike e listës së votuesve pa pasaportë që kishin mbetur pa aplikuar deri në dt.01.05.2009. Nga verifikimi që iu bë kësaj liste rezultoi se numri i personave që nuk kishin aplikuar për letërnjoftim deri në datën 01.05.2009 ishte 605 mijë e 586 votues. Nga ballafaqimi i dy listave, të listës me 729 mijë e 30 emra dhe listës së dërguar më dt.05.05.2009, rezulton se 51 mijë e 605 votues nuk figuronin në listat e votuesve pa pasaportë prej 729 mijë e 30 emra”, - shkruhet në akt padinë e Partisë Socialiste.
Falsifikuesit
Një tjetër padi e bërë nga PS-ja lidhet me pamjet filmike të shfaqura publikisht, të cilat tregonin një funksionar të PD-së që kryente aktivitet të paligjshëm duke ndërhyrë në procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. ”Për veprimtarinë kriminale të subjektit me detyra funksionale pranë organizmave të PD-së dhe të subjekteve të tjera bashkëpunëtore të tij, në kryerjen e veprës penale të dhënies së shpërblimeve dhe premtimeve, kemi ardhur në dijeni pas konsumimit prej tyre të veprimeve të paligjshme dhe publikimit në emisione televizive”, - shkruhet në padinë e PS-së.
Filmimet
Një tjetër fakt i denoncuar lidhet me filmimet e dhëna nga Vizion Plusi lidhur me pajisjen me disa karta identiteti të një shtetasi të vetëm. ”Me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 332, datë 01.04.2009, është vendosur pajisja me dokument identifikimi vetëm e shtetasve që nuk janë të pajisur me pasaportë. Nga ana e të kallëzuarve, persona fizikë dhe nëpunës publikë kanë kryer veprime me dashje ose nga pakujdesia, të cilat synojnë nxjerrjen e disa kartave të identitetit për të njëjtin person. Në një datë të papërcaktuar pas datës 01.04.2009, një shtetas i paidentifikuar ka aplikuar jo më pak se katër herë për të marrë kartën e identitetit. Ai ka arritur të realizojë aplikime në disa qarqe, duke i mundësuar vetes, veç të tjerave, të votojë jo më pak se katër herë. Fakti është bërë publik nga televizioni “Vizion plus”, përcakton PS-ja në kallëzimin e saj të tretë penal.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›