Firmoset marreveshja per varret e ushtareve greke

Pas vite të tëra diskutimesh diskrete, për vetë ndjeshmërinë e cështjes në të dy anët e kufirit, Tirana dhe Athina zyrtare kanë arritur më në fund një marrëveshje që përcakton në detaje sesi dhe ku do të nderohen të rënët grekë.
Përpara dy ditësh u zhvillua mbledhja e fundit e komisionit të përbashkët të ekspertëve, që duket se i dha dorën e fundit marrëveshjes.
Lajmi për të dhe detajet u bënë të ditura mesditën e së premtes nga ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis.
Sipas informacioneve të para mësohet se mbetet i pandryshueshëm numri i varrezave. Pra, memorialet nderuese do të ndërtohen në varrezat ekzistuese të Këlcyrës dhe Gjirokastrës.
Palët do të ngarkojnë ekspertë të mjekesisë ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të nxirren nga gërmimet. Komisioniet, me një numër të barabartë anëtarësh nga të dyja palët do të kenë në përbërjen e tyre ekspertëve të mjekësisë ligjore, ushtarakë dhe historianë, që do të merren me administrimin e eshtrave por edhe të elementëve të tjerë që kanë lidhje me zbardhjen e fakteve historike.
Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dy palët. Varrezat do të administrohen nga Kisha ortodokse shqiptare, por vetëm në aspektin humanitar të tyre. Pas firmosjes së kësaj marrëveshje, ministrja e jashtme greke Dora Bakojanis deklaroi
"Përshëndesim firmosjen e marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Greqisë për cështjen e varreve të ushtarëve grekë të rënë në luftën për liri në vitet 1940-41. Zgjidhet një cështje humanitare e popullit grek, kujtesa historike e të cilit është ende e freskët nga lufta për liri. Shprehim respekt për popullin grek dhe atë shqiptar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar për këtë cështje të zgjatur për vite të tëra".