E Diel, 1 Nëntor 2026

Firmosin Moisiu, Meidani, Agolli

 

Aristir Lumezi

Ish-presidentët shqiptarë, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, kanë firmosur pro mbajtjes së referendumit popullor për ndryshimet kushtetuese. Dy ish-presidentët, të cilët kanë qenë garantë të Kushtetutës, i janë bashkangjitur nismës për miratimin në popull të ndryshimeve të saj. Listës së firmëtarëve, në kërkesën që Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës ka gati për ta depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i është bashkuar edhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli. Komiteti dorëzon sot në KQZ kërkesën të shoqëruar me firmat. Dje janë hedhur firmat e para të nevojshme për të formalizuar kërkesën në adresë të KQZ-së, për t’i hapur më pas rrugën marrjes së formularëve përmes të cilëve do të grumbullohen 50 mijë firmat që do bënin të mundur zhvillimin e referendumit. Ilir Meta, Neritan Ceka, Paskal Milo, Dashamir Shehi, Ëngjëll Bejtaj, Petro Koçi, Taulant Dedja, Artur Zheji, Andrea Stefani dhe Erisa Spiropali etj., janë disa nga emrat që kanë firmosur dje. Mësohet se në ditët në vazhdim do të ketë dhe personalitete të njohur, të cilët do të hedhin firmën e tyre në kërkesën për mbajtjen e referendumit. Në kërkesën e tij, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës shprehet se, “objekti i referendumit do të jetë shfuqizimi i një pjese të ligjit nr. 9904, datë 21.04.2008 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, ‘Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar dhe pikërisht nenet 5, 7 dhe 8 të këtij ligji. Pjesa tjetër e ligjit është e vetëmjaftueshme, pasi ajo nuk ka asnjë lidhje me dispozitat që kërkojmë të shfuqizojmë, kërkesë e cila vjen në përputhje me nenin 126, pika 3 e Kodit Zgjedhor”, citohet në kërkesën e përgatitur. Në argumentin e tij, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe firmëtarët e kërkesës argumentojnë se përse dispozita të këtij ligji duhet të shfuqizohen. Sipas tyre, rreziku më i madh është prishja e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. “Neni 7 i Kushtetutës përcakton se: Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin nëpërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv, dhe gjyqësor. Ndarja dhe balancimi i pushteteve janë forcat ndërvepruese midis institucioneve, të cilat ruajnë qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe formën e sistemit. Në një shtet ligjor, parimi i ndarjes dhe i kontrollit (check and balance) përvijohet nga mënyra e konstituimit të institucioneve kushtetuese, në raport me vëllimin e kompetencave që u jepet. Të tri dispozitat, të cilat mendojmë se duhet të shfuqizohen, ndryshojnë pikërisht mënyrën e zgjedhjes dhe konstituimit të Presidentit, pa ndryshuar vëllimin e të drejtave të tij, si dhe ndryshojnë raportet e balancës midis Kryeministrit, Kuvendit dhe Presidentit”, thuhet në kërkesë. Duke analizuar ndryshimet kushtetuese të 21 prillit, Komiteti në kërkesën e tij ndalet dhe tek mënyra e zgjedhjes së presidentit. Sipas saj, presidenti me këtë kuorum votash në zgjedhje nuk është më përfaqësues i unitetit kombëtar. “Nëse do të zgjidhet presidenti me aq vota sa kryeministri, qeveria, ministrat, funksionarë të tjerë të ulët, a mund të ishte thelbësisht përfaqësues i unitetit të popullit e kryetar shteti? Por, ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me volumin e madh të të drejtave që Kushtetuta dhe ligjet organike i japin presidentit në lidhje me pushtetin gjyqësor, pikërisht për shkak të kësaj procedure. Pa përmendur cilësinë e tij sipas ligjit, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, organ epror i kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe i emërimit të gjyqtarëve, ligjet organike dhe Kushtetuta i ka dhënë presidentit tagra të rëndësishme në kompozimin e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese e të Gjykatës së Lartë”, thuhet në kërkesë.

Debatet për referendumin
Në kërkesën e tij, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës i jep përgjigje dhe debatit për vlefshmërinë e zhvillimit të referendumit. “Në të vërtetë, fryma e vetë Kushtetutës dhe dispozitat konkrete të saj, deri tani, garantojnë të drejtën e popullit (sovranit) të shfuqizojë çdo ligj të miratuar nga Kuvendi, me përjashtim të atyre të përcaktuara në mënyrë eksplicite në nenin 151, pika 2 të Kushtetutës”, thuhet në kërkesën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›