E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida e të rinjve shqiptarë: Si nuk thyhen vezët e paziera

Keni provuar të hidhni një vezë nga një lartësi e konsiderueshme dhe ajo të shpëtoj pa u thyer?! 

Ju duket e pabesueshme! Natyrisht! Rreth 300 vjet më parë, ndërsa Isak Njuton i mbështetur pas një peme në Kembrixh, teksa bënte gjumin e drekës, krejt papritur diçka e goditi në kokë. Aso kohe bazuar në librat e historisë, nuk mund të shmangej ideja se ajo çfarë e kish goditur në kokë shkencëtarin, nuk mund të ishte gjë tjetër veçse një mollë. Por të tjerë dëshmitarë, të besueshëm të asaj kohe ishin gati të betoheshin se në fakt kishte qenë një vezë ajo që i kishte rënë Njutonit në kokë. Me sa duket në atë kohë dolën edhe disa filozofë, të cilët mbështesnin teorinë se në fakt zogu i parë kishte dalë pikërisht nga ajo vezë… Gjithsesi, sido që të ketë qenë, ky incident fatlum i dhuroi njerëzimit ligjin e gravitetit! Që prej asaj kohe, fizikanët, matematikanët dhe të tjerë shkencëtarë të mirënjohur në mbarë botën vrasin mendjen si të sfidojnë dhe të dalin kundër këtij fenomeni natyror. E në fakt këtë gjë e kanë arritur disa studentë shqiptarë. Studentë të fakulteteve të ndryshme. Dhe si do të thoni ju? Pikërisht me vezë të paziera! E kanë hedhur nga një lartësi mbi dhjetë metrash dhe vezët kanë qëndruar po njësoj, të pathyera, të pakrisura. Një iniciativë energjike, "Red Bull Gravity Challenge" nga presidenti Agim Zeqo i pijes më të njohur në vend Red Bull, është realizuar me sukses dje në një nga fushat sportive të Qytetit Studenti. Rreth 25 skuadra të përbëra nga tre studentë nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Politeknik, kanë marrë pjesë në këtë aktivitet, të cilët kanë realizuar gjatë këtyre ditëve parapërgatitore "egg-landing-machines", pajisjet për të ndihmuar vezët që të bien sa më butë në tokë. Ndaj dhe në këtë sfidë, shkollimi i tyre, njohuritë e marra në shkollat përkatëse dhe pse jo dhe Red Bull i ka ndihmuar që shumica e tyre të jenë fitues në këtë sfidë njutoniane. Pajisjet e krijuara nga vetë ata, janë lëshuar nga një vinç gërshërë nga një lartësi mbi dhjetë metra, të cilat janë vlerësuar me pikë nga një juri profesionale e përbërë nga pedagogu i Fakultetit të Ekonomisë, Ilia Kristo, pedagogu i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Koço Bode, prezantuesja Alketa Vejsiu, aktori dhe regjisori Gent Bejko si dhe stilistja e njohur Enada At'Nikolla. Vlerësimi i jurisë është bërë për aspekte të ndryshme të krijimtarisë së tyre e më konkretisht: Arritja e objektivitetit për lëshimin e vezës në tokë pa u thyer, është vlerësuar nga juria gjithashtu koncepti inxhinierik i ndërtimit të pajisjes.

Çmimet dhe pajisjet

Vendi I
Skuadra: Do fitojmë se s'bën
Përfaqësuar nga Endri Çela, Ledjoni dhe Ervisi, studentë të Juridikut dhe Shkencave Politike. Pajisja për lëshimin e vezëve: -Një vazo e mbushur me dhe", veza preku tokën pa u thyer, pikët maksimale: 31
Çmimi: Kupa "Red Bull Gravity Challenge" si dhe fluturim me parashutë mbi Tiranë me aeronautistin Alket Islami

Vendi II, 3 skuadra fituese me pikë të barabarta
Skuadra: Korpusi me përfaqësuar nga Endrit Kryeziu, Jetmiri dhe Rolandi, studentë të Inxhinierisë Mekanike. Pajisja për lëshimin e vezëve: Ndërtesa e Korpusit të Universitetit, pikët 27
Skuadra: Elita 3 me përfaqësues Besmir Trashi, Arjani dhe Eno, studentë të Universitetit Politeknik. Pajisja për lëshimin e vezëve: Pulë
Skuadra: Tris përfaqësuar nga Altini, Ermali dhe Ermir, studentë të inxhinierisë mekanike. Pajisja për lëshimin e vezëve: Parashutë
Çmimi: Rafting në lumin e Matit, me Outdoor Albania

Vendi III, e vetmja skuadër gocash
Skuadra: VIG e përfaqësuar nga Ina, Vasija dhe Gresa, studente të shkencave natyrore. Pajisja për lëshimin e vezëve: Kupë për mbajtje vezësh. Çmimi: Red Bull për të festuar fitoren.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›