Pranga atentatorit të Isufajve
FIER/ MAJLINDA RAMA
Prangoset pas 4 ditësh atentatori i familjarëve të Ben Qimes. Angjelos Sado, banor i Vlorës u akuzua për plagosjen e 4 personave në një lagje të Fierit mbrëmjen e së dielës. Arrestimi i tij u krye në fshatin Lukovë të Sarandës, por arratia e tij sakrifikoi dhe katër persona që kishin ndihmuar në largimin nga vendngjarje. Mbrëmjen e së mërkurës, në fshatin e largët kanë mbërritur forca të shumta policie që kishin dijeni për vendndodhjen e Sados. Operacioni i koduar “Zastava” kishte identifikuar lëvizjet e 28-vjeçarit që prej momentit kur braktisi makinën e atentatit në periferi të Vlorës. Forcat në aksion hynë në banesën e Jani Gremos, duke bërë arrestimin e të kërkuarit bashkë me të zotin e shtëpisë e më pas dhe të tre tjerë. Sipas policisë, Gremo, Emirjon Prishka, Lulzim Toçi e Skënder Selamaj kanë ndihmuar në lëvizje Sadon me qëllim largimin e tij jashtë vendit. I kërkuari Sado akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë të Ahmet e Amarildo Isufit, (vëllait e nipit të Arben Isufit, i arrestuar me akuzë me vrasjes), Tomorr Jarujës e Gentian Matës. Sipas policisë, 28-vjeçari u largua nga vendngjarja me autoveturën tip “Benz” TR 75-29 P, e cila u gjet në zonën e ish-fabrikës së tullave në Vlorë bashkë me 4 mjete të tjera dhe një pistoletë e dyshuar si ajo e atentatit të Sados. Të arrestuarit me Sadon akuzohen për “përkrahje të autorit të krimit”, ndërsa Gremo dhe për “armëmbajtje pa leje”, pasi në banesë iu gjet 1 pistoletë dhe 6 copë fishekë. Autori i ngjarjes Angjelos Sado përpara hetuesve të çështjes në komisariatin e Fierit nuk ka pranuar të japë asnjë lloj dëshmie, derisa të mbërrijë avokati i tij mbrojtës. Burime nga grupi hetimor po punojnë ende për të zbardhur shkaqet e atentatit, që tronditi qytetin e Fierit. Ata dyshojnë se më pas Sado ka pasur njohje me familjen Isufaj dhe për hir të mosmarrëveshjeve ka kryer atentatin. Megjithatë, policia e cilëson si të organizuar ngjarjen, pasi 28-vjeçari pas krimit arriti të largohej në kohë rekord. Pritet që pas dëshmisë së të arrestuarit të zbardhen dhe shkaqet që e shtynë drejt ngjarjes.
Vrasja e 18-vjeçarit, pranga shokut
MIRDITE - Arrestohet si i dyshuar për vrasjen e 18-vjeçarit Fatmir Pjetri shoku i tij. Zef marku, sipas policisë, moshatar me viktimën u prangos mbrëmjen e djeshme për krimin e ndodhur 6 ditë më parë. Pjetri, banues në fshatin Spaç u gjet i pajetë, i qëlluar me plumba kallashnikovi ndërsa kishte dalë në mal për të kullotur bagëtitë. Policia u lajmërua nga moshatari i tij, i cili dëshmoi se ndodhej vetëm 10 metra larg vendit të ngjarjes, kur u qëllua për vdekje Fatmir Pjetri. Nisur nga fakti se xhaxhai i 18-vjeçarit kishte vrarë disa vite më parë u dyshua se krimi ishte bërë për gjakmarrje. Por, marrja e dëshmive të personit të vetëm në vendngjarje ka bërë që policia të hedhë dyshimin mbi Markun. Ky i fundit ka dhënë deklarime të ndryshme mbi momentet e ngjarjes, duke u bërë jo vetëm i pabesueshëm, por dhe i dyshuar. Burime të policisë thanë dje se ai do të mbahet i arrestuar derisa të kryhet ekspertiza mbi armën e gjetur disa metra më larg. Ndërkohë vetë i riu e ka mohuar në çdo moment të jetë autori. r.n