E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga 28-vjeçarit, hiqej si "superpolic"

Një "superpolic" ka përfunduar në prangat e uniformave blu
gjatë një kontrolli rutinë, ku ai është prezantuar si koleg i
tyre. Por, gjatë verifikimeve ka rezultuar se ai ishte polic i rremë
dhe plot me dokumente false. Policia shpjegoi se ai mendohet
që prej kohësh hiqej si punonjës i këtij shërbimi, duke mashtruar
gjatë prezantimit të tij. Burimet policore shpjeguan se antikrimi
ekonomik ka arrestuar Bledar Muçën, 28 vjeç, lindur dhe banues
në rrugën "Myslym Keta". Arrestimi i tij u bë pasi është ndaluar
në Rrugën e Dibrës dhe ka paraqitur një dokument policie të
Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe në xhamin e mjetit
të tij tip "Ford", me targa të huaja 585259, mbante një stemë policie.
Por, këtu kanë lindur dyshimet e policisë, që këtë radhë nuk
e ka lëshuar lehtë 28-vjeçarin. Gjatë verifikimeve ka rezultuar se
ai kishte paraqitur dokumente false dhe në këto kushte kanë bërë
shoqërimin e tij në polici. Më pas, uniformat blu kanë ushtruar
kontroll edhe në banesë, ku kanë gjetur prova të tjera implikuese,
si patentë false, leje qarkullimi në gjuhë të huaj dhe shumë materiale
të tjera. Duke mbledhur këtë prova, policia e ka arrestuar
"kolegun" nën akuzën e falsifikimit, të përvetësimit të titullit dhe
mbajtje pa të drejtë të uniformës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›