E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishekët, dëshmia e Pinarit në SHBA

Prokuroria zbulon prova që tregojnë se jo e gjithë sasia e fishekëve që Shqipëria i ka shitur kompanisë amerikane AEY, kanë qenë municione të prodhimit kinez. 

Trazhgim Sokolaj

Sipas hetimeve të Prokurorisë, afërsisht gjysma e fishekëve që Efraim Diveroli dhe kompania e tij AEY kanë blerë nga ndërmarrja MEICO, nuk kanë qenë të prodhimit kinez. Në këtë mënyrë, kjo pjesë e aktivitetit të ndërmarrjes shtetërore shqiptare të import-eksportit të armëve duket se është e rregullt. Prokuroria dyshon nëse kjo ka qenë një lojë e Ylli Pinarit, i cili fillimisht i ka shitur fishekë jo kinezë Efraim Diverolit derisa e ka futur atë në aktivitetin e blerjes së municioneve shqiptare të mbetura stok. Dëshmia e dhënë dy ditë më parë nga Ylli Pinari për prokurorët shqiptarë, sipas burimeve hetimore, është një provë me interes për organet e hetimit në SHBA, pasi ka rrëzuar alibinë e Efraim Diverolit që mund ta shfajësonte atë për shkeljen e ligjeve amerikane. Një pjesë e procesverbaleve të deklaratës së Ylli Pinarit sipas Prokurorisë mund t’u dërgohet me letërporosi autoriteteve amerikane.
Fishekët
Organi i akuzës ka verifikuar se pjesa tjetër, mbi 55 për qind e municioneve që iu shitën Efraim Diverolit për t’i çuar në Kabul, kanë qenë të prodhimit kinez. Sipas hetimeve, për një fakt të tillë kanë qenë në dijeni drejtuesit e MEICO-s dhe zyrtarët e ushtrisë që ishin angazhuar në procesin e klasifikimit të municioneve që duhej të nxirreshin nga përdorimi. Nga të dhënat e mësuara nga Prokuroria shqiptare por edhe sipas dëshmisë së Ylli Pinarit, ka qenë Efraim Diveroli ai që jo vetëm ka pasur dijeni për prodhimin kinez të fishekëve, por kishte menduar një zgjidhje për këtë. Hetimet kanë provuar se drejtpërdrejt në procesin e heqjes së mbishkrimeve kineze të fishekëve, nuk ishte implikuar as ndërmarrja MEICO (pasi nuk kishte punonjës për këtë) dhe as kompania AEY e Efraim Diverolit. Një veprim i tillë sipas hetimeve, është bërë nga nënkontraktori i kompanisë amerikane AEY. Bëhet fjalë për kompaninë misterioze EVDIN, të cilën kishte qenë Efraim Diveroli ai që ia kishte propozuar ndërmarrjes MEICO si ndërmjetës të nënkontraktuar prej tij që më parë. Megjithatë në këtë pikë Prokuroria nuk është se ka saktësuar gjithçka.
Misteri i Delijorgjit
Si i përfshirë në aktivitetin e ripaketimit të fishekëve, duke u hequr atyre mbishkrimet kineze dhe duke i larë me naftë që të dukeshin me të rinj, është edhe biznesmeni i hekurit Mihal Delijorgji, i arrestuar pas tragjedisë së Gërdecit. Kanë qenë të shumta deklarimet e ish-punëtorëve të fabrikës së tij të çmontimit në Gërdec, që kanë hedhur dritë mbi faktin se aty, fishekët ishin larë me naftë dhe ishin hequr nga arkat me mbishkrim kinez dhe jo vetëm që nuk ishin çmontuar, por ishin vendosur në kuti kartoni. Koha kur janë kryer aktivitete të tilla në fabrikën e Gërdecit dhe në një bazë të Delijorgjit në Rinas, përkon me kohën kur MEICO i ka shitur fishekë Efraim Diverolit, ndërsa edhe arkat e kartonit në të cilat fishekët futeshin në Gërdec janë të njëjta me ato që dërgoheshin nga AEY në Kabul, të mbushura me municione. Prokuroria ka dyshime se nëse Delijorgji ka qenë në këtë aktivitet, ai ka hyrë në lojë përmes insistimit dhe mbështetjes së Ylli Pinarit. I cili pasi ka hedhur poshtë alibinë e Efraim Diverolit, nuk ka preferuar të flasë gjatë për prokurorët. Ata kanë mësuar shumë më pak nga sa kanë pritur prej Ylli Pinarit, 55-vjeçarit të arrestuar tri ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Ish-drejtori i MEICO-s nuk ka preferuar të flasë gjatë për prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, që kanë shkuar në qelinë e tij në burgun 313 në Tiranë. Edhe pse është konsideruar personazhi kyç jo vetëm në çështjen Gërdeci, por edhe në skandalin e shitjes së municioneve kineze për kompaninë e tenderuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, Ylli Pinari ka qenë i prerë në deklarimet e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›